Mar. Tet 16th, 2018

Buallicat në moçalishten e Karavastasë tërheqin vëmendjen e vizitorëve

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/238497390153860/
TIRANË, 25 shtator.- Buallicat, një racë e veçantë e gjedhëve, cilësitë e së cilës njihen e vlerësohen në gjithë botën, veçanërisht për qumështin dhe djathin e bardhë pa kripë, po mbarështohen në një moçalishte në Karavasta.
Përveç investimit për zhvillimin e blegtorisë, buallicat janë kthyer edhe në kuriozitet për turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë përditë e më shumë zonën e Karavastasë.
Syrit të turistëve nuk i kanë shpëtuar buallicat, që dikur në Myzeqe ishin me mijëra dhe njiheshin për qumështin ushqyes dhe mishin cilësor.
Në një video të publikuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, këto gjedhë, që janë konsideruar prej vitesh si specie që rrezikojnë të zhduken, shfaqen gjatë qëndrimit në moçalishten e Karavastasë.
Ministri Klosi thotë se “dikur, në Myzeqe, Buallicat ishin me mijëra dhe përdoreshin për qumështin dhe mishin cilësor. Në botë, këta lloj gjedhësh  njihen për mocarelën Buallicës dhe djathin pa kripë . Të konsideruara si specie që rrezikojnë të zhduken, buallicat i gjeni në një moçalishte në Karavasta, si një investim për zhvillimin e blegtorisë dhe kurijozitet për turistët vendas dhe të huaj”.
Qumështi i buallicave është më ushqyes nga ai i lopës. Sipas specialistëve veterinarë, qumështi i buallicës përmban më shumë yndyrë, zink dhe më shumë kalcium. Por edhe pse përmban më shumë yndyrë se qumështi i gjedhëve të tjerë, në të gjendet 45% më pak kolesterol sesa qumështi i lopës.
Ndërkohë, veterinerët shtojnë se qumështi i buallicës këshillohet të përdoret edhe nga personat alergjikë. Edhe mishi i kësaj race të gjedhëve ka më shumë proteina dhe më pak yndyra të këqija se ai i lopës.
Vendin e parë për mbarështimin e tyre e mban Rumania, më pas Italia e më pak Bullgaria./a.a/ /a.g/

Kategori