Bujar Osmani i BDI pranon humbjen në Çair dhe uron kundërshtarin e VLEN për fitoren
Kandidati i ASH-së për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka uruar fitoren e rivalit të tij nga VLEN, Izet Mexhiti, përmes një postimi në Facebook. Osmani bëri të ditur se për hapat e ardhshëm politikë do të njoftojë gjatë ditëve në vijim.
“Fillimisht, dua të shpreh kënaqësinë time për mbarëvajtjen e ditës zgjedhore. Vlerësoj se patëm një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fushatës: nga aktivistët, shokët partiakë dhe të koalicionit, mbështetësit, forumi i grave, dhe forumi rinor. Ishte me të vërtetë një nder të punohej me përkushtim dhe sakrificë, një proces gjatë të cilit u krijua një vizion i bukur për Çairin, por edhe shumë miqësi të reja.
Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët na dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte plotësisht e drejtë dhe e ligjshme në çdo aspekt, unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në situata të tilla.
Urime kundërkandidatit tim dhe gjithë koalicionit që e përkrahu. Ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme. Në fund, dua të falënderoj familjen time, ata e mbajtën barrën më të madhe të angazhimit tim politik, por nga ata mora edhe përkrahjen më të fortë. Për hapat e ardhshëm politikë, do të njoftoj ditëve në vijim”, shkruan Osmani.