Bujqësia shqiptare: Dëme të mëdha, fonde të pamjaftueshme

Bujqësia e nënfinancuar, fondet nuk mjaftojnë për dëmet

Përmbytjet dhe ngricat e muajve të fundit kanë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësinë shqiptare, duke shkatërruar kulturat, serrat, pemët frutore, bagëtinë dhe të tjera.

Për vitin 2026, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë parashikohet të jetë vetëm 16 miliardë lekë. Kjo shumë, megjithëse duket e konsiderueshme në letër, nuk mjafton as për mbulimin e funksionimit rutinë të sektorit, aq më pak për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe fenomenet e tjera ekstreme.

Në kontekstin e kontributit të bujqësisë në ekonominë shqiptare, ky buxhet është dukshëm i pamjaftueshëm. Sektori bujqësor, jo vetëm që siguron rreth 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por mbështet edhe punësimin në zonat rurale dhe furnizon tregun me ushqim, duke luajtur kështu një rol strategjik për ekonominë kombëtare.

Historikisht, bujqësia ka marrë fonde më të ulëta krahasuar me sektorë të tjerë të ekonomisë, pavarësisht rëndësisë së saj strategjike. Kjo situatë ka lënë fermerët të ekspozuar ndaj rreziqeve natyrore dhe ka penguar investimet në modernizim, sigurime bujqësore dhe infrastrukturë mbrojtëse si digat dhe kanalizimet.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka premtuar se qeveria do të kompensojë dëmet ndaj familjeve, fermerëve dhe subjekteve të prekura. Gjatë një mbledhjeje të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ai theksoi se procesi i kompensimit do të përfshijë dëmet e shkaktuara në banesa, tokë bujqësore dhe bagëti të humbur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Rama shtoi se Ministria e Financave është angazhuar për të siguruar fondet e nevojshme dhe se pas normalizimit të situatës, autoritetet do të nisin verifikimin në terren për vlerësimin e dëmeve, një hap drejt kompensimit të drejtë dhe të plotë. Ai theksoi se ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor, kryetarët e bashkive dhe deputetët, me synimin që të përfshihen të gjitha rastet e prekura pa dallim.

Pavarësisht këtyre premtimeve, fermerët shprehen jo optimistë. Në zonën e Myzeqesë, ku pati përmbytje edhe në nëntor 2026, një fermer, Ziu, u shpreh: “Na kanë pyetur vetëm një herë atë të drejtorisë rajonale dhe më pas, asnjë masë apo zhdëmtim.”

Fatura rëndohet nga çorganizimi institucioneve

Plani Kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, i hartuar nga qeveria, thekson rrezikun e shtuar për sektorë si bujqësia dhe zhvillimi urban. Ai gjithashtu thekson se për zbatimin e masave të nevojshme nevojiten 8-9 miliardë dollarë investime për minimizimin e pasojave.

Aktualisht, hendeku midis planeve strategjike dhe fondeve të mobilizuara është shumë i madh. Vetëm 7% e fondeve të parashikuara deri në vitin 2027 janë angazhuar në Programin Buxhetor Afatmesëm, duke lënë mbi 93% të kostos së planit të pambuluar. Kjo do të thotë se masat për përshtatjen ndaj klimës janë efektive vetëm në letër përderisa nuk mbështeten me fonde.

Një tjetër problematikë lidhet me monitorimin dhe vlerësimin e politikave klimatike. Institucionet përgjegjëse për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, përfshirë rrjetin meteorologjik kombëtar, kanë mungesë kapacitetesh, duke operuar me vetëm 95 pika matëse në vitin 2025, krahasuar me 116 pika në vitin 2014.

Kjo, së bashku me mungesën e një sistemi të integruar të paralajmërimit në kohë reale, e bën të vështirë për autoritetet të parashikojnë dhe t’i përgjigjen me kohë fenomeneve ekstreme, të cilat shpesh kthehen në tragjedi kur reshjet bien jashtë normës.

Edhe pse janë miratuar dokumente kyçe dhe janë përfshirë masa në sektorë të shumtë, vonesa në miratimin e metodologjive të monitorimit dhe vlerësimit ka dobësuar aftësinë për të ndjekur përparimin e zbatimit dhe për të korrigjuar politikën në kohë.

Si pasojë e këtij boshllëku institucional, investimet janë shpesh të fragmentuara dhe jo të sinkronizuara, duke mos përqendruar burimet aty ku ndikimi do të ishte më i madh.

Raportet ndërkombëtare rekomandojnë investime në infrastrukturë dhe menaxhim të ujit për të mbrojtur vendin nga katastrofat që po shtohen me ritme alarmante, por pa një koordinim dhe politikat e duhura, këto projekte mbeten shpesh pa ndikim në terren.

Scroll to Top