Bujqësia Shqiptare: Rritje Eksportesh, Por Rënie Prodhimi






Bujqësia, midis konsolidimit dhe rënies

Bujqësia, midis konsolidimit dhe rënies

Eksportet e prodhimeve të freskëta shënuan një rritje dyshifrore si në vlerë ashtu edhe në sasi gjatë 8-mujorit të vitit 2025. Megjithatë, në të njëjtën kohë, sektori bujqësor thelloi më tej rënien me 2.6% në gjashtëmujorin e parë të vitit. Fermerët dhe eksportuesit pohojnë se bujqësia po konsolidohet drejt fermave të mëdha, të specializuara për eksport, ndërsa fermat e vogla të bujqësisë tradicionale po falimentojnë.

Arsyet pse importet dhe eksportet e ushqimeve po rriten njëkohësisht janë të shumta. Kostot e anëtarësimit në Bashkimin Europian po vendosin në vështirësi të mëdha sektorin bujqësor shqiptar. Serbia mbetet partneri kryesor në eksporte, teksa tregjet e BE-së shfaqin luhatje.

Rritja e eksporteve dhe tkurrja e prodhimit

Rritja e eksporteve bujqësore, si në sasi ashtu edhe në vlerë, në anën tjetër, rënia e prodhimit, tregon se sektori po shkon drejt konsolidimit. Fermat e vogla dhe të mesme në zonat rurale të vendit po falimentojnë për shkak të tkurrjes dhe plakjes së popullsisë. Në të njëjtën kohë, po rriten dhe po zgjerohen fermat e mëdha blegtorale dhe ato në serra në zonat me bujqësi intensive, si Fieri, Lushnja etj., me synim kryesor eksportin.

Të dhënat e periudhës 2021–2025 tregojnë një rritje të qëndrueshme dhe të fortë të eksporteve të zarzavateve dhe frutave, ku totali është zgjeruar me rreth 70%. Vlera e tyre arriti në mbi 17.1 miliardë lekë në 10-mujorin e vitit 2025, nga 10.1 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Krahasuar me 10-mujorin e vitit 2024, eksportet e frutave dhe zarzavateve u rritën me 22% në vlerë.

Mariglen Ziu, një fermer që operon në sektorin e prodhimit në fushë në zonën e Samaticës, Berat, shprehet se prodhimi nuk po zgjerohet, por po manovrohet me disa kultura që besohet se rrisin vlerën. Ai përmend si shembull rritjen e ndjeshme të eksportit të bostanit dhe lakrave vitet e fundit.

Rënia e prodhimit dhe sfidat e fermave të vogla

Nga ana tjetër, sektori bujqësor thelloi tkurrjen këtë vit me -2.6% në gjashtëmujorin e parë. Bujqësia po përjeton vitin e pestë të rënies së volumit të prodhimit. Ruzhdi Koni, një eksportues me përvojë i prodhimeve bujqësore, thekson se rritjet e shitjeve jashtë vendit pasqyrojnë evolucionin e segmentit eksportues të bujqësisë, i cili është bërë gjithnjë e më i specializuar dhe më i lidhur me tregjet europiane. Kjo, sipas tij, ka mundësuar rritjen e vlerës dhe sasisë së eksportit, pavarësisht sfidave të përgjithshme që po kalon sektori.

Të dhëna nga INSTAT tregojnë se punësimi në sektorin bujqësor shënoi rënie vjetore me 10% në tremujorin e tretë të këtij viti, duke reflektuar tkurrjen e fortë të popullsisë në zonat rurale. Në të njëjtën kohë, me rritjen e eksporteve bujqësore, po rriten edhe importet. Në 10-mujorin e këtij viti, grupi i ushqimeve shënoi rritje me 2% në sasi dhe 3.4% në vlerë. Në mungesë të prodhimit të gjerë në ferma të vogla për treg dhe për vetëkonsum, tregu po furnizohet nga jashtë.

Fermerët përballen me humbje të larta pas të korrave, për shkak të problemeve me copëzimin e lartë të tokës dhe mungesës së subvencioneve. Më shumë se 25% e prodhimit në disa kultura përfundon në mbetje pas të korrave, për shkak të çmimit të ulët ose mungesës së kapaciteteve magazinuese.

Pse po rriten eksportet

Zoti Koni shpjegon se rritja e eksporteve bujqësore lidhet me disa faktorë që kanë vepruar pas pandemisë. Së pari, çmimet ndërkombëtare të frutave dhe zarzavateve janë rritur ndjeshëm pas vitit 2022, për shkak të inflacionit në grupin e ushqimeve. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike dëmtuan prodhuesit kryesorë si Italia, Spanja dhe Greqia. Shqipëria ka përfituar nga kjo situatë, duke qenë në gjendje të ofrojë produkte konkurruese në momente kur furnizuesit tradicionalë kishin ulur volumin e prodhimit.

Kjo ka bërë që vlera e eksporteve të rritet, ndërsa volumi real i prodhimit mund të ketë qenë më i moderuar. Në shumë raste, eksportuesit shqiptarë kanë shitur sasi të ngjashme me të një vit më parë, por me çmime dukshëm më të larta, duke gjeneruar një rritje të shpërndarë në të gjithë zinxhirin ofertues. Njëkohësisht, Shqipëria ka konsoliduar një bërthamë të prodhuesve të mëdhenj, të aftë të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare.

Zoti Ziu thekson se investimet në serra në zonat e Lushnjës, Divjakës, Fierit dhe Krujës, së bashku me përhapjen e teknologjive moderne të vaditjes, plehërimit të kontrolluar dhe cikleve të prodhimit gjatë gjithë vitit, kanë rritur ndjeshëm vëllimin e prodhimit të orientuar drejt eksportit. Këta prodhues tani operojnë me kontrata të qëndrueshme me kompani grumbulluese dhe tregtarë eksporti. Një rol të rëndësishëm ka edhe ngritja e kapaciteteve të përpunimit dhe ruajtjes në magazina frigoriferike, linja seleksionimi, paketimi dhe certifikime si GlobalG.A.P.

Të dhënat tregojnë se çmimet e eksporteve po vijnë në rënie pas rritjes post-pandemike. Nga viti 2021 deri në 2023, eksportet e grupit të ushqimeve në lek u rritën dukshëm, nga rreth 35.9 miliardë lekë në vitin 2021 në mbi 46.3 miliardë lekë në vitin 2023. Kjo periudhë shoqërohet edhe me rritje të sasisë së eksportuar, fakt që tregon ecuri pozitive të sektorit, e ndikuar si nga kërkesa e jashtme, ashtu edhe nga çmimet më të larta të produkteve ushqimore në tregjet ndërkombëtare.

Në vitin 2024, megjithëse sasia e eksporteve rritet sërish, pati një ulje të theksuar të çmimit mesatar për kilogram, i cili zbret nga 142.3 lekë/kg në vitin 2023 në vetëm 111.3 lekë/kg në vitin 2024. Kjo për shkak se çmimet në tregjet ndërkombëtare ranë dhe gjithashtu u rrit eksporti i bostanit, që peshon më shumë, por kushton më pak. Në vitin 2025, vlera e eksporteve të ushqimeve ra më tej, duke arritur në 108.7 lekë/kg në 10-mujorin 2025, niveli më i ulët i pesëvjeçarit. Kjo tregon se rritja e eksporteve në vlerë këtë vit nuk është pasojë e çmimeve më të larta, por nga zgjerimi i volumit të eksporteve.

Megjithatë, ky zhvillim pozitiv në segmentin eksportues ekziston paralelisht me një tkurrje të dukshme të bujqësisë në shkallë kombëtare. Arsyeja kryesore është emigrimi masiv i fuqisë punëtore rurale, i cili ka lënë pas parcela të shumta të papunuara dhe ka shtuar kostot e prodhimit për fermerët që vijojnë aktivitetin. Shumë ferma të vogla nuk arrijnë të përballojnë shpenzimet gjithnjë e më të larta për plehra, farëra, pesticide dhe naftë bujqësore, duke rezultuar në braktisje të tokës vit pas viti. Rënia e investimeve në fermat e vogla dhe të mesme ka reduktuar prodhimin total, duke bërë që sektori në tërësi të japë kontribut më të ulët në ekonomi.

Rriten edhe importet e ushqimeve

Gjatë periudhës janar-tetor 2025, importet e ushqimeve u rritën si në vlerë ashtu edhe në sasi. Të dhënat zyrtare tregojnë se u importuan 135 miliardë lekë ushqime (rreth 1.4 miliardë euro), ose 28% më shumë se në 10-mujorin 2021. Rritja e qëndrueshme e importeve po vjen në një kohë që popullsia e vendit po tkurret, sidomos në moshat e reja që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj.

Një pjesë e mirë e prodhimit bujqësor shqiptar nuk është më konkurrues në tregun e brendshëm, ku çmimet janë shpesh më të ulëta se ato të tregjeve të jashtme. Kjo ka bërë që prodhuesit më të mirë ta zhvendosin fokusin drejt eksporteve, duke lënë konsumatorin vendas gjithnjë e më të varur nga importet, sidomos për produkte sezonale.

Fermeri Ziu shpjegon se eksportet po rriten jo sepse prodhimi vendas është i mjaftueshëm, por sepse pjesa më cilësore dhe me rendiment më të lartë e prodhimit kanalizohet drejt tregut të huaj, ashtu si ai po vepron me prodhimet e veta. Gjithashtu, importet në sektorin e bujqësisë po nxiten edhe nga flukset turistike, të cilat në vend që të nxisin prodhimin vendas, kanë rritur importet, jo vetëm në bujqësi, por në të gjithë zinxhirin e turizmit.

Ekspertët pohojnë se bujqësia ka hyrë në një proces të fortë ristrukturimi, ku nga njëra anë, një segment i modernizuar për eksport po rritet me ritme të larta dhe, nga ana tjetër, bujqësia tradicionale po tkurret me shpejtësi. Në total, bujqësia mbetet ndër sektorët me rënien më të madhe të kontributit në PBB, me 15.6% në vitin 2024 nga 19.2% në vitin 2014, duke nxjerrë në pah vështirësi të theksuara strukturore.

Importet e ushqimeve janë rritur si në sasi, ashtu edhe në vlerë monetare (lek), ndërsa çmimi mesatar për kilogram ka pësuar luhatje të ndjeshme gjatë periudhës 2021–2025. Sasia e ushqimeve të importuara nisi me rreth 904.7 milionë kg në vitin 2021 në 10-mujor dhe ra lehtë në 2022, por më pas rritja bëhet e qëndrueshme vit pas viti, duke ndjekur rritjen e numrit të turistëve dhe rënien e prodhimit vendas. Në 10-mujorin 2024, arrihet niveli 1.078 miliardë kg, ndërsa për 2025, sërish ka rritje të fortë, në 1.1 miliardë kg, duke shënuar nivelin më të lartë të pesëvjeçarit.

Në vlerë monetare, importet kanë ndjekur të njëjtin trend rritës, por me luhatje më të theksuara. Pasi u ngjitën në 138 miliardë lekë në vitin 2022, bien në 121.6 miliardë lekë në 2023, për t’u rritur sërish në 130.6 miliardë lekë në 2024 dhe të projektohen në 135.1 miliardë lekë për vitin 2025.

Çmimi mesatar për kilogram ushqim të importuar ka pësuar luhatje nga krizat e viteve të fundit. Nga 116.6 lekë/kg në 2021, ai u rrit fuqishëm në 157.6 lekë/kg në 2022, si pasojë e inflacionit ndërkombëtar të ushqimeve dhe rritjes së kostove të transportit. Më pas, çmimi shënoi një korrigjim në vitet 2023 dhe 2024, duke rënë përkatësisht në 132.3 dhe 121.1 lekë/kg, gjë që sugjeron stabilizim të tregjeve ndërkombëtare. Në 10-mujorin 2025 ka rënie sërish me 120 lekë/kg, por ende shumë më poshtë krahasuar me kulmin e 2022, duke reflektuar stabilizim pas krizës.

Dështoi sezoni i dytë i prodhimit

Sezoni i dytë i mbjelljeve që nxjerr prodhim në dhjetor-janar në zonën e Myzeqesë po rezulton me humbje për prodhuesit, si rrjedhojë e dëmeve që sollën përmbytjet e nëntorit dhe çmimet e ulëta të produkteve në tregjet e eksportit. Fermeri Ziu shpjegon se Shqipëria është konkurruese për sezonin e dytë të prodhimit, për shkak të favorizimit gjeografik dhe klimës, duke eksportuar me çmime të larta perime të freskëta në tregjet e rajonit dhe më gjerë, që tashmë e kanë mbyllur sezonin e të korrave. Por këtë vit, situata ka ndryshuar në dëm të fermerëve.

Prodhimet për eksport në fushë – presh, lakra, karota etj. – u dëmtuan tërësisht nga përmbytjet e nëntorit. “Humbjet e mia në këtë sezon janë 2.5 milionë lekë (të reja) pasi rreth 30 dynymë lakër të mbjella në fushë u shkatërruan”, tha Mariglen Ziu.

Nga ana tjetër, çmimi i prodhimeve të dyta në tregjet e eksportit janë shumë të ulëta, për shkak se moti i ngrohtë e ka favorizuar prodhimin edhe në vendet fqinje. Kjo bëri që në tregje të ketë prodhime të mjaftueshme dhe çmimet të jenë shumë të ulëta. Në 10-mujorin 2025, një kilogram fruta dhe zarzavate u shit nga eksportuesit me 64.9 lekë, sipas të dhënave të INSTAT, por në nëntor dhe dhjetor, çmimet janë edhe më të ulëta. Në vitin 2023, çmimi për kilogram ishte 76 lekë, duke arritur nivelin më të lartë historik, dhe pas kësaj po vjen me ulje.

Fermerët shqiptarë janë tërësisht të ekspozuar ndaj çmimeve të tregut, kostove të lëndëve të para dhe krizave klimatike, pasi nuk përfitojnë mbështetje financiare dhe nuk janë të përfshirë në sistemin e sigurimeve. Në vitin 2026, fermerëve do t’u shpërndahen 5.2 miliardë lekë në formën e subvencioneve dhe granteve, sipas Ministrisë së Bujqësisë. Shqipëria vijon të ofrojë shumë më pak mbështetje për bujqësinë se Europa dhe Rajoni, teksa nuk po mund të përfitojë nga fondet e BE-së, për shkak të korrupsionit që u gjet në përdorimin e tyre.

Eksportet e zarzavateve: partneri kryesor Serbia, rritje e fortë me Poloninë

Eksportet e zarzavateve (pa frutat) arritën në 12.4 miliardë lekë, me rritje 20% në vlerë. Tregu më i madh i eksportit këtë vit ishte me Serbinë. Drejt këtij vendi u eksportuan 2.6 miliardë lekë zarzavate, me rritje vjetore 25%, duke zënë 21% të totalit të shitjeve të perimeve dhe zarzavateve nga janari në tetor 2025.

Të dhënat tregojnë qartë se struktura e eksporteve të zarzavateve shqiptare mbetet e përqendruar kryesisht në tregun rajonal, duke reflektuar një varësi të fortë nga vendet fqinje dhe Ballkani Perëndimor. Një prirje e ngjashme vërehet edhe me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ku eksportet janë rritur me ritme dyshifrore, duke konfirmuar se rajoni mbetet boshti kryesor i shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë.

Edhe Kroacia dhe Bullgaria zënë një peshë të rëndësishme në hartën e eksporteve, ndonëse dinamika është e ndryshme. Ndërsa eksportet drejt Bullgarisë janë rritur ndjeshëm me 26%, Kroacia shfaq rënie të lehtë, duke sinjalizuar luhatje të kërkesës ose ndryshime në strukturën e produkteve të eksportuara. Në tërësi, Ballkani vazhdon të dominojë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe për shkak të kostove më të ulëta logjistike dhe lidhjeve tradicionale tregtare.

Zoti Koni përmend rritje të fortë në pranverë të lakrës dhe bostanit në tregjet e reja të BE-së, sidomos në Poloni dhe në disa vende nordike. Eksportet e zarzavateve të freskëta në tregjet e Bashkimit Europian shfaqen më të fragmentuar. Italia, historikisht një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë, shënon rënie të fortë të eksporteve, me mbi 38% më pak krahasuar me një vit më parë, duke dhënë një sinjal shqetësues për dobësimin e kërkesës ose zhvendosjen e flukseve tregtare. Një rënie të ndjeshme vërehet edhe në Francë, Zvicër dhe Norvegji, gjë që tregon se eksportet shqiptare në disa nga tregjet e zhvilluara europiane po përballen me vështirësi.

Megjithatë, ka edhe përjashtime pozitive brenda BE-së. Eksportet drejt Gjermanisë u rritën me 97%, në Poloni, me 106%; në Rumani, 66%, dhe në Suedi, 145%. Këto rritje, edhe pse të fortë, vijnë për shkak të bazës së ulët nga të cilat kanë nisur, por edhe për faktin se në këto tregje ka hapësirë për zgjerim dhe se disa sektorë po arrijnë të depërtojnë më mirë.

Humbje të mëdha pas të korrave

Prodhimi pa planifikim dhe problemet në zinxhirin e furnizimit bëjnë që një pjesë e madhe e prodhimit bujqësor të përfundojë në mbeturina. Fermerët në zonën e Lushnjës pohojnë se shpesh, gati gjysma e një kulture hidhet sërish në tokë. Statistikat e bujqësisë kanë besueshmëri të ulët, sipas Eurostat, dhe qeveria nuk i orienton fermerët për prodhimet në bazë të planeve të konsumit të brendshëm. Vendi nuk ka ende një sistem kombëtar monitorimi që t’i masë rregullisht për të gjitha kulturat.

Raportet sektoriale tregojnë se humbjet e kulturave bujqësore variojnë nga 10% në mbi 50% për frutat. Humbjet përfshijnë dëmtimet në korrje, mungesën e frigoriferëve, dëmet gjatë transportit dhe ato në treg. Vërehet se pas çdo cikli prodhimi, shumë fermerë detyrohen të hedhin sasi të konsiderueshme të frutave, jo sepse janë të parregullta për konsum, por sepse nuk kanë kushte për t’i ruajtur ose për t’i çuar me kohë në treg, ose çmimet janë shumë të ulëta.

Mungesa e teknologjisë së duhur në fazën e korrjes po dëmton shumë fruta dhe perime nga trajtimi i pakujdesshëm. Në shumë zona, produkti mbetet me orë të tëra në diell para se të largohet nga parcela, duke përshpejtuar kalbjen. Më tej, faza e ruajtjes paraqet sfidat më të mëdha. Shqipëria ka kapacitete të kufizuara frigoriferike, shumë prej të cilave përdoren në mënyrë joefikase. Studimet tregojnë se mungesa e ftohjes së menjëhershme pas korrjes është një faktor kritik që rrit ndjeshëm humbjet, sidomos te mollët dhe agrumet.

Paketimi i papërshtatshëm, higjiena e pamjaftueshme e magazinave dhe mjetet transportuese pa kontroll temperature i shtojnë më tej dëmet. Gjatë transportit, humbjet thellohen nga rrugët e amortizuara dhe nga përdorimi i mjeteve që nuk janë frigoriferike, çka çon në dëmtime mekanike dhe rënie të cilësisë. Në treg, sidomos në tregjet e hapura, produktet ekspozohen ndaj temperaturave të larta, diellit, lagështisë apo kushteve të pasigurta të ruajtjes, duke bërë që frutat dhe perimet të humbin shpejt vlerën tregtare ose të dalin nga përdorimi.

Një studim i mëparshëm i CIHEAM, i vetmi me matje të drejtpërdrejtë në tregjet e Korçës, gjeti se humbjet në hallkat e tregtimit për fruta si mollët, pjeshkat apo rrushi varionin nga 11% deri në mbi 17%, pa llogaritur humbjet në fushë e të transportit, që do ta rritnin edhe më shumë shifrën reale.

Humbjet pas korrjes në Shqipëri janë pasojë e strukturës së fragmentuar të bujqësisë, ku fermat e vogla dhe individuale nuk kanë kapacitet të investojnë në depo, linja selektimi apo teknologji ruajtjeje. Mungesa e kooperativave funksionale, aksesit në tregje dhe shërbimeve këshillimore bujqësore e bën të vështirë standardizimin e praktikave moderne. Sipas të dhënave zyrtare të Eurostat dhe Komisionit Europian, çdo vit në BE hidhet 60 milionë tonë ushqim, 130 kg ushqim i hedhur për frymë në vit. Kjo përfshin ushqimin e humbur dhe të hedhur në të gjithë zinxhirin ushqimor nga prodhimi në fermë, përpunimin, shpërndarjen, dyqanet, restorantet e deri te shtëpitë e konsumatorëve. Humbjet në BE janë më të ulëta se në Shqipëri pasi zinxhirët e furnizimit dhe ekonomia qarkulluese funksionojnë të mirorganizuar.

Kostot e bujqësisë nga anëtarësimi në BE

Shqipëria synon të bëhet vend anëtar i BE-së deri në vitin 2030, por për t’u përshtatur me standardet e Bashkimit Europian (BE) në kuadër të procesit të anëtarësimit, bujqësia duhet të kalojë nga një sektor kryesisht informal dhe me produktivitet të ulët, në një sistem të formalizuar, të certifikuar dhe të qëndrueshëm, në përputhje me Politikën e Përbashkët Bujqësore (CAP) të BE-së.

Për një fermë mesatare perimesh ose frutash 10–15 ha, në fazën e parë vjen kostoja e certifikimit për kriterin GlobalG.A.P., që është praktikisht kusht bazë për shumë importues europianë. Shpenzimi fillestar për përgatitje, dokumentacion dhe auditim varion zakonisht nga 1.500 deri në 3.000 euro. Më pas, certifikimi duhet rinovuar çdo vit, me një kosto vjetore që shkon nga 800 deri në 1.500 euro, në varësi të madhësisë së fermës dhe numrit të parcelave.

Ruzhdi Koni, i cili eksporton prej vitesh prodhime bujqësore, thotë se kostot e përshtatjes për të gjithë zinxhirin bujqësor shqiptar janë shumë të larta për kapacitetet e fermave shqiptare. Pas certifikimit, vjen formalizimi dhe administrimi. Regjistrimi i aktivitetit, kontabiliteti, deklarimet fiskale dhe shërbimet bazë administrative kushtojnë mesatarisht 600 – 1.200 euro në vit. Këto janë kosto që më parë mungonin për fermerin informal, por bëhen të domosdoshme për eksport.

Një tjetër zë i rëndësishëm është gjurmueshmëria dhe dokumentacioni teknik. Standardet e BE-së kërkojnë regjistrat e prodhimit, përdorimit të pesticideve, këshillim agronomik dhe në disa raste, përdorimin e sistemeve digjitale të thjeshta me shpenzime shtesë rreth 500 – 1.000 euro në vit, kryesisht për shërbime këshillimore dhe menaxhim dokumentacioni.

Kostot rriten ndjeshëm kur futemi tek analizat laboratorike. Zoti Koni shpjegon se për çdo ngarkesë eksporti kërkohen analiza për mbetje pesticidesh dhe parametra të tjerë. Një analizë e plotë për një produkt të freskët kushton zakonisht 150 – 300 euro për ngarkesë. Nëse një eksportues dërgon 20 – 30 ngarkesa në vit, vetëm analizat mund të arrijnë 3.000 – 7.000 euro në vit.

Në nivel tregu, ka edhe kosto kontraktuale dhe rrezik komercial. Për të përmbushur kontratat me importuesit europianë, eksportuesi duhet të mbajë rezerva, të sigurojë furnizim alternativ dhe të përballojë humbje nga refuzimi i ndonjë ngarkese. Ekspertët e sektorit përllogarisin se kostoja fillestare për hyrje në eksport drejt BE-së (certifikim + investime bazë) mund të arrijë në 25.000 – 50.000 euro, ndërsa kostoja vjetore e mirëmbajtjes së standardeve varion zakonisht nga 6.000 deri në 12.000 euro, pa llogaritur rreziqet tregtare.

BE ka rregulla shumë të rrepta për ushqimin që qarkullon në tregun e përbashkët. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht standardet HAACP, ISO 22000 dhe GlobalG.A.P.

Anëtarësimi na bën jokonkurrues

Në perspektivën e anëtarësimit në BE, eksportet bujqësore shqiptare do të përballen me një presion edhe më të madh konkurrues. Hapja e plotë e tregut do të thotë më shumë mundësi për eksport, por edhe më shumë konkurrencë nga prodhues të konsoliduar europianë.

Ekspertët thonë se pa investime serioze në standarde, organizim dhe përpunim, ekziston rreziku që bujqësia shqiptare të mbetet kryesisht furnizuese e tregjeve periferike ose të eksportojë vetëm produkte me vlerë të ulët. Nëse arrin të kalojë nga eksporti i rastësishëm tek eksporti i certifikuar, bujqësia shqiptare mund të shndërrohet në një nga sektorët më të prekshëm pozitivisht nga integrimi europian.

Eksportet shqiptare bujqësore drejt Bashkimit Europian mbeten ende të kufizuara në vëllim dhe të përqendruara në pak produkte, pavarësisht potencialit që ka vendi ynë për shkak të klimës, pozicionit gjeografik dhe kostos relativisht të ulët të prodhimit. Aktualisht, Shqipëria eksporton kryesisht fruta dhe perime të freskëta, bimë mjekësore e aromatike, vaj ulliri dhe, në një masë më të vogël, produkte të përpunuara. Megjithatë, prania në tregun europian është ende e brishtë dhe e paqëndrueshme, pasi një pjesë e madhe e eksporteve realizohet në mënyrë sezonale dhe pa kontrata afatgjata.

Pengesa kryesore për rritjen e eksporteve mbetet përmbushja e standardeve të sigurisë ushqimore dhe e kërkesave teknike të BE-së. Tregu europian kërkon gjurmueshmëri të plotë të produktit, dokumentacion të saktë mbi përdorimin e pesticideve, certifikime të njohura në rang ndërkombëtar dhe kontrolle të rregullta laboratorike. Në shumë raste, fermerët shqiptarë prodhojnë cilësi të mirë, por nuk arrijnë ta dokumentojnë atë sipas rregullave të BE-së, çka e bën produktin të papranueshëm për importuesit europianë. Kjo krijon një hendek mes potencialit real të prodhimit dhe aftësisë për ta shndërruar atë në eksport të qëndrueshëm.

Megjithatë, në disa nënsektorë, Shqipëria ka arritur të krijojë një pozicion më të qëndrueshëm. Bimët mjekësore dhe aromatike janë shembulli pozitiv, pasi vendi ka përfituar nga tradita, biodiversiteti dhe integrimi më i hershëm në zinxhirë eksporti të strukturuar. Edhe në këtë rast, vlera e shtuar mbetet e kufizuar, pasi eksportet realizohen kryesisht në formë lënde të parë dhe jo si produkte të përpunuara me markë shqiptare.


Scroll to Top