Burgu Korydallos në alarm: Pistoletë e gjetur pranë të burgosurit shqiptar

Burgu grek në alarm: Gjendet pistoletë në repartin ku mbahet shtetasi shqiptar me rrezikshmëri të lartë

Në burgun e njohur grek të Korydallos, është dhënë alarmi pasi një pistoletë dhe tetë fishekë u gjetën të groposura në oborrin e Repartit 5.

Gjetja e armës shkaktoi një mobilizim të menjëhershëm të forcave të sigurisë, pasi ky repart strehon kriminelë të njohur. Sipas gazetës “Potothema”, shqiptari Klodian Lekocaj, i identifikuar si kreu i të ashtuquajturës “mafia e burgjeve”, ndodhet në këtë pjesë të burgut. Gjithashtu, në Repartin 5 mbahen disa të burgosur turq të dyshuar për përfshirje në vrasje.

Kjo situatë ka shtuar shqetësimet e autoriteteve rreth mënyrës dhe personit që ka futur armën në burg. Aktualisht po zhvillohet një hetim për të zbardhur rrethanat e gjetjes së armës dhe si ka mundur ajo të fshihet në oborr.

Klodian Lekocaj, 48 vjeç, është një personazh i njohur për autoritetet greke. Ai dyshohet prej vitesh për përfshirje në vepra të rënda penale, përfshirë urdhërimin e vrasjeve, rrëmbimeve dhe trafikun e drogës. Lekocaj ka qenë i lidhur me ngjarje kriminale të shumta në Greqi, mes të cilave vrasje me pagesë, atentate, plagosje dhe arratisje spektakolare nga burgjet.

Ai ka qenë i bashkuar me persona të tjerë me precedentë të rëndë penalë, si shqiptarë dhe shtetas të huaj. Mes ngjarjeve ku emri i tij ka dalë në skenë përmenden vrasja e një avokati grek, plagosja e klientëve në një lokal në Mikrolimano, si dhe tentativat për grabitje me armë dhe vrasje në zonën e Metaksurgios.

Arrestimi i tij i fundit daton në nëntor 2014. Vitet e fundit, policia greke e ka përfshirë emrin e Lekocajt edhe në dosje të tjera të rënda, duke përfshirë atentate të porositura ndaj shqiptarëve dhe gjobvënie ndaj biznesmenëve grekë. Emri i tij është lidhur gjithashtu me urdhrin për ekzekutimin e Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja në Athinë, si dhe Edmond Papës në Tiranë.

Scroll to Top