Kuvend/ Buxheti prej 8.8 miliardë euro miratohet me 81 vota pro
Pas një seance maratonë që përfundoi pas mesnatës, Kuvendi miratoi buxhetin për vitin 2026 me 81 vota pro dhe 16 kundër. Paketa financiare prej 8.8 miliardë eurosh u shqyrtua nen për nen dhe u votua së bashku me tetë projektligjet që përbëjnë paketën fiskale.
Buxheti parashikon:
- Bonus mujor për pensionistët duke filluar nga janari.
- Rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë.
- Indeksim 2.5% të pagave në administratën publike.
Investimet publike arrijnë në rreth 1.8 miliardë euro, duke u fokusuar te projektet infrastrukturore në vijim dhe nisja e disa të rejave.
Me 75 vota pro u aprovua edhe projektligji për Marrëveshjen Fiskale, ndërsa ndryshimi i kërkuar nga Erion Braçe për deklarimin e burimit të fondeve të kompanive u hoq gjatë shqyrtimit.
Projektligji për TVSH-në në bujqësi u miratua pa asnjë amendim, me 80 vota pro dhe 25 kundër. Kompensimi 10% mbetet vetëm për fermerët me NIPT, nga të cilët aktualisht përfitojnë rreth 11 mijë nga 111 mijë gjithsej.
Pa ndryshime kaloi edhe projektligji për procedurat tatimore, që ul kufirin e pagesave cash midis bizneseve në 100 mijë lekë dhe vendos tavan 500 mijë lekë për individët.
Ligji për taksat vendore mori 81 vota pro dhe parashikon përjashtimin e investimeve dhe ndërtimeve publike në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.
Ndryshimet në ligjin për faturimin u aprovuan me 81 vota pro, ndërsa me 84 vota pro u miratuan lehtësitë e reja në tatimin mbi të ardhurat, që favorizojnë sponsorizimet sportive dhe veprimtaritë e kërkimit dhe zhvillimit.
