Qeveria paraqet Buxhetin për vitin 2026 në Kuvend pa Paketën Fiskale
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi të mërkurën në Kuvend projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”. Megjithatë, opozita kërkoi që ky prezantim të shtyhej derisa të depozitohej edhe Paketa Fiskale që shoqëron buxhetin.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kundërshtoi prezantimin duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, e cila parashikon që projektligji i buxhetit të shtetit të paraqitet së bashku me projektligjet financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. “Nuk ka buxhet pa paketë fiskale,” deklaroi ajo duke kërkuar shtyrjen e prezantimit. Sipas Tabakut, nuk mund të diskutohej për buxhetin pa analizuar ndikimin e tij në ligjet financiare dhe politikat fiskale të qeverisë.
Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi shtyrjen, duke iu referuar praktikave të mëparshme parlamentare ku prezantimi i buxheteve ishte shtyrë në pritje të paketës fiskale. Demokratët këmbëngulën se nuk mund të diskutohej për shpenzimet e qeverisë pa sqaruar fatin e taksave dhe tatimeve, të cilat janë pjesë e ligjeve financiare.
Ministri i Financave, Malaj, shpjegoi se vonesa në prezantimin e Paketës Fiskale ishte për shkak të konsultimeve me “faktorin ndërkombëtar”. “Për procedurë, ua përcjellim në mënyrë që të marrim një dritë jeshile për ndryshimet që kemi propozuar,” u justifikua ai, duke parashikuar prezantimin e kësaj pakete për javën e ardhshme.
Socialistët e cilësuan prezantimin e projektligjit për buxhetin si një akt ceremonial, duke argumentuar se gjatë shqyrtimit në Kuvend, ai do të diskutohej bashkë me Paketën Fiskale dhe se rregullorja nuk e impononte prezantimin e tyre në të njëjtën kohë.
Ministri Malaj shtoi se Paketa e re Fiskale nuk parashikonte rritje taksash apo vendosjen e taksave të reja, por përfshinte disa ndryshime ligjore që synonin rritjen e të ardhurave dhe një skemë mbështetëse për fermerët, bizneset dhe turizmin.
Ai paraqiti një panoramë të shkurtër të buxhetit të ri qeveritar, duke e cilësuar atë si një nga buxhetet më të mëdhenj të sjellë ndonjëherë në Kuvend nga qeveria, me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike. Duke ripërsëritur premtimet e kryeministrit Edi Rama për këtë buxhet, Malaj tha se parashikohej rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë nga janari, me synimin për arritjen e 70 mijë lekëve në fund të mandatit 4-vjeçar.
“Fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te mbështetja e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor,” përfundoi Malaj.