Buxheti 2026: Rritje e Shpenzimeve për Sigurinë, Rënie për Arsimin

Buxheti 2026: Rritet Pesha e Shpenzimeve për Sigurinë

Analiza e shpërndarjes së shpenzimeve buxhetore për vitin 2026 tregon një zhvendosje të lehtë drejt forcimit të funksioneve publike dhe të sigurisë. Ndërkohë, shihet një rënie e mbështetjes për politikat sociale dhe arsimin.

Sipas të dhënave të projektbuxhetit 2026:

  • Fondi për shërbimet e përgjithshme publike do të jetë 68,5 miliardë lekë, duke zënë 7,7% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore. Kjo përbën një rritje nga 7% që zuri ky zë këtë vit, duke reflektuar shtimin e fondeve për administratën dhe menaxhimin e politikave publike.
  • Buxheti për mbrojtjen në vitin 2026 arrin në 43 miliardë lekë dhe do të zërë 4,9% të shpenzimeve totale, nga 4,5% që zuri këtë vit. Kjo rritje është në përputhje me angazhimet për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO.
  • Një rritje e ngjashme vërehet edhe te rendi dhe siguria publike, ku fondet për vitin që vjen kapin një shifër prej 55,8 miliardë lekësh dhe zënë 6,3% të totalit të shpenzimeve buxhetore në 2026, nga 6,1% këtë vit.

Çështjet ekonomike, që përfshijnë investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik, mbeten të qëndrueshme, duke zënë rreth 9,4% të totalit të buxhetit.

Ndërkohë, fondet për arsimin dhe shëndetësinë pësojnë ndryshime të vogla me tendencë rënie:

  • Arsimi zë 8% të buxhetit në 2026, me një financim prej 70 miliardë lekësh, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me 8,1% në 2025.
  • Shëndetësia mbetet në nivelin 9,2%, duke ruajtur peshën e saj në vitin që vjen njësoj si këtë vit.

Mbrojtja sociale, që përfshin pensionet dhe ndihmën ekonomike, mbetet zëri më i madh i buxhetit, me 27,3% të shpenzimeve në 2026. Megjithëse ka pasur një ulje të lehtë prej -0,4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, fondet për këtë zë janë rritur.

Shpenzimet e tjera të paklasifikuara, ku përfshihen fondet kontigjencë dhe ato për interesat e borxhit, janë programuar në 194 miliardë lekë ose 21,9% të totalit të buxhetit 2026, nga 22,6% që janë këtë vit.

Në strukturën e shpenzimeve të buxhetit 2026, ndarja e fondeve për mbrojtjen e mjedisit dhe për çështjet e kulturës, argëtimit dhe fesë mbetet modeste. Këto fusha nuk zënë ende një vend prioritar në politikat publike të vendit:

  • Mjedisi përfiton vetëm 0,2% të totalit të buxhetit 2026, një peshë shumë simbolike dhe dukshëm më e ulët se mesatarja europiane (1,5% – 2% të buxheteve totale, ndërsa në disa vende arrin deri në 3%).
  • Fondët për argëtim, kulturë dhe çështje fetare zënë vetëm 0,8% të buxhetit, gjithashtu më pak se mesatarja europiane (rreth 2% të shpenzimeve publike).

Kjo tregon se kultura dhe trashëgimia kulturore, pavarësisht rëndësisë së tyre për zhvillimin e turizmit, nuk trajtohen ende si një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik.

Scroll to Top