Në 10 muaj, buxheti arkëton 628 miliardë lekë
Të ardhurat totale të buxhetit arritën në rreth 628 miliardë lekë gjatë 10-mujorit të vitit 2025, ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike u regjistruan në rreth 578.8 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, u mblodhën rreth 37.7 miliardë lekë më shumë, ose një rritje prej 6.4%, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.
Performanca paraprake e të ardhurave dhe shpenzimeve për Janar-Tetor 2025:
- Të ardhurat totale për periudhën Janar-Tetor 2025 arritën në rreth 628 miliardë lekë, duke realizuar 99.7% të planit për këtë periudhë.
- Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, u mblodhën rreth 37.7 miliardë lekë më shumë, ose një rritje prej 6.4%.
- Në terma vjetorë, të ardhurat totale për 10-mujorin e vitit 2025 arritën 81.5% të planit vjetor.
Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat për periudhën Janar-Tetor 2025, janë në shumën 413.7 miliardë lekë, rreth 39 milionë lekë më shumë se plani i periudhës. Krahasuar me periudhën Janar–Tetor 2024, janë mbledhur 34.3 miliardë lekë më shumë, ose 9% më shumë.
- Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) për periudhën Janar-Tetor 2025, u realizuan në vlerën 199.7 miliardë lekë, duke shënuar 9.3 miliardë lekë ose 4.9% më shumë se Janar-Tetori i vitit 2024. Realizimi i të ardhurave doganore për vitin 2025 ishte 99.8% e planit të periudhës.
- Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Tetor 2025, janë 131.8 miliardë lekë, 3.7 miliardë lekë ose 2.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit paraprak.
- Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Tetor 2025, janë realizuar në shumën 58.3 miliardë lekë, duke qenë 5.8 miliardë lekë ose 11% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.
- Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Tetor 2025, janë 1.7 miliardë lekë, duke realizuar 103.7% kundrejt planit të periudhës.
- Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Tetor 2025, janë në vlerën 7.9 miliardë lekë, 460 milionë lekë ose 6.2% më shumë se Janar-Tetori 2024, si dhe një realizim prej 97.2% kundrejt planit të periudhës.
Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Tetor 2025, u realizuan në shumën 214 miliardë lekë, 25 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se Janar-Tetori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 472 milionë lekë më shumë.
- Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në shumën 56.7 miliardë lekë, 7.5 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se periudha Janar- Tetor 2024, dhe me realizim 112 milionë lekë më shumë se plani i periudhës.
- Rimbursimet e dhëna, për periudhën Janar- Tetor 2025, janë 21.1 miliardë lekë, 1.4 miliardë lekë ose 7.2% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.
- Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 49 miliardë lekë, 1.9 miliardë lekë ose 4.1% më shumë se periudha Janar-Tetor 2024, si dhe me realizim 287 milionë lekë më shumë se plani i periudhës për vitin 2025.
- Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Tetor 2025, janë 69.5 miliardë lekë, 14.6 miliardë lekë ose 26.5% më shumë se periudha Janar-Tetor 2024.
- Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar–Tetor 2025, u realizuan në shumën 38.8 miliardë lekë, 969 milionë lekë ose 2.6% më shumë se Janar-Tetori i vitit 2024, si dhe me realizim 510 milionë lekë ose 1.3% më shumë se plani i periudhës.
Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, për periudhën Janar-Tetor 2025, u realizuan në shumën 149.1 miliardë lekë, duke shënuar 15.7 miliardë lekë ose 11.8% më shumë se Janar-Tetor 2024. Realizimi ishte 100.2% e planit të periudhës.
Shpenzimet
- Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10-mujore të vitit 2025, arritën në rreth 578.8 miliardë lekë, me një realizim prej 96.2% të planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ky zë rezultoi 11.5% më i lartë, ose rreth 59.6 miliardë lekë më shumë.
- Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10-mujorin e vitit 2025 u realizuan në masën 70.2% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar.
- Shpenzimet korente rezultuan në rreth 511.3 miliardë lekë për periudhën 10-mujore të vitit 2025. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ky zë rezultoi 10.4% më i lartë, ose rreth 48.2 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin, ato u realizuan në masën 98.1%.
- Shpenzimet kapitale rezultuan në rreth 66.4 miliardë lekë për periudhën 10-mujore të vitit 2025. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, ky zë rezultoi 18.7% më i lartë, ose rreth 10.5 miliardë lekë më shumë. Krahasuar me planin, ato u realizuan në masën 83.3%.
- Niveli i suficitit rezultoi në rreth 49.2 miliardë lekë për periudhën 10-mujore të vitit 2025. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, niveli i suficitit ka rezultuar 30.7% më i ulët, ose rreth 21.8 miliardë lekë më pak.
