Buxheti i Kuvendit 2025: Shpenzime Deputetësh dhe Operative

## Kuvendi shpenzoi 200 milionë lekë për dieta, karburant dhe qiratë e deputetëve

Kuvendi i Shqipërisë ka bërë publike analizën e zbatimit të buxhetit të institucionit për vitin 2025. Sipas kësaj analize, përfitimet financiare që rrjedhin nga statusi i deputetit arrijnë në 200 milionë lekë, duke përbërë 44.2% të totalit të shpenzimeve operative të institucionit.

Këto përfitime përfshijnë rimbursime për shpenzime telefonike, karburant, dieta brenda vendit, honorare për pjesëmarrje në mbledhje komisionesh parlamentare, si dhe mbulimin e qirasë së banimit për deputetët që nuk banojnë në Tiranë. Këto shpenzime konsiderohen si shtesa financiare mbi pagën e deputetëve dhe janë të miratuara sipas “Statusit të Deputetit” dhe vendimit të Kuvendit “Për trajtimin e deputetëve”.

Ndërkohë, shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit, duke përfshirë bileta, dieta dhe akomodim, i kanë kushtuar buxhetit 60 milionë lekë për vitin 2025. Kuvendi e ka cilësuar këtë shumë si një nëngrup “të konsiderueshëm” brenda zërit të shpenzimeve operative.

Buxheti i Kuvendit është i ndarë në dy programe kryesore:

* Programi i “Veprimtarisë legjislative, diplomacisë dhe kontrollit parlamentar”.
* Programi mbështetës “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”.

Sipas analizës së Kuvendit, programi legjislativ zë peshën më të madhe dhe përfshin shpenzimet për pagat dhe kontributet e deputetëve dhe stafit politik, përfitimet financiare shtesë të deputetëve, shpenzimet për udhëtime jashtë shtetit, organizimin e konferencave, pritjen dhe përcjelljen e delegacioneve, si dhe pagesat për përkthyes dhe ekspertë të jashtëm.

Pagat dhe kontributet shoqërore në buxhetin faktik arrijnë rreth 1.2 miliardë lekë. Për sa i përket burimeve njerëzore për vitin 2025, deputetët përbëjnë 32% të numrit total, stafi politik 14%, nëpunësit civilë 44%, dhe punonjësit mbështetës 10%.

Në zërin e shpenzimeve operative janë realizuar edhe shpenzime të tjera, si:

* 11 milionë lekë për honorare ndaj ekspertëve të jashtëm për komisione hetimore ose të posaçme.
* 16 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
* 49 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike dhe pajisjeve të zyrave.
* 14 milionë lekë për mirëmbajtjen e ambienteve të zyrave.
* 28 milionë lekë për fatura uji dhe dritave, transporti dhe blerje kancelarie.

Gjatë vitit të kaluar, Kuvendi ka kryer gjithashtu investime në teknologji informacioni, duke përfshirë:

* 30 milionë lekë për transkriptimin e të dhënave audio-video me inteligjencë artificiale.
* 5.6 milionë lekë për realizimin e një sistemi për ndërveprimin me publikun.
* 1.2 milionë lekë për krijimin e një aplikacioni të ri me emrin “Kuvendi i Shqipërisë”.

Në kuadër të këtyre investimeve janë blerë gjithashtu dy autovetura me vlerë 14.5 milionë lekë dhe pajisje e arredime zyrash në shumën 23 milionë lekë, të cilat përfshijnë tapete ceremoniale, ndriçues për sallat e komisioneve parlamentare dhe arredimin e zyrave të komisioneve të reja të përhershme, që kanë filluar punën në shtator 2025.

Scroll to Top