Ulen fondet për arsimin dhe shëndetësinë, rriten për infrastrukturën
Qeveria e Shqipërisë ka ndryshuar për të tretën herë këtë vit buxhetin e shtetit, duke reduktuar më tej fondet për arsimin dhe shëndetësinë, ndërkohë që ato për infrastrukturën janë rritur.
Sipas tabelave që shoqërojnë ndryshimet:
- Fondet për Ministrinë e Arsimit janë shkurtuar me rreth 851 milionë lekë, ose 1% më pak krahasuar me qershorin. Në raport me buxhetin fillestar për vitin 2025, fondet për këtë ministri janë ulur me 1 miliard lekë (rreth 10 milionë euro), duke përfaqësuar një rënie prej 1.6%. Kjo ulje vjen në një periudhë kur sistemi arsimor përballet me nevoja të mëdha për investime në mjedise mësimore, staf dhe programe të reja studimore, ndërkohë që kërkesa për arsim cilësor po rritet.
- Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një ulje të fondeve, megjithëse më të lehtë. Ndryshimet e fundit kanë reduktuar një shumë prej 336 milionë lekësh (rreth 3.4 milionë euro), duke treguar mungesë të politikave të qëndrueshme në një sektor me kërkesa gjithnjë e më të larta për shërbime. Në raport me buxhetin fillestar, fondet për shëndetësinë janë reduktuar me 0.5%.
- Në të kundërt, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës (MIE) është përfituesja më e madhe e kësaj rialokimi buxhetor, duke përfituar mbi 6.1 miliardë lekë shtesë (rreth 60 milionë euro). Në raport me ndryshimet e muajit qershor, fondet për Ministrinë e Infrastrukturës janë rritur me 9%, ndërsa me buxhetin fillestar me 1.6%. Përqendrimi i fondeve në këtë fushë tregon prioritetin e qeverisë për të përshpejtuar investimet në projektet infrastrukturore.
- Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka përfituar një rritje modeste prej 331 mijë eurosh, ose 2%, duke reflektuar një mbështetje të lehtë për sektorin rural, por pa një ndikim të dukshëm në raport me nevojat e tij.
Në përgjithësi, të dhënat tregojnë një tendencë të vazhdueshme të nënfinancimit të shërbimeve sociale dhe një orientim drejt rritjes së shpenzimeve për investime infrastrukturore. Vendet e zhvilluara dallohen nga investimet e larta në shëndetësi, arsim dhe kapitalin njerëzor, të cilat konsiderohen si investimet më të qëndrueshme në kohë.
Më pak investime në arsim dhe shëndetësi përkthehen në kosto sociale për të gjithë shoqërinë. Një shoqëri me arsim joefikas dhe jo të shëndetshme nuk do të mund të rrisë produktivitetin në ekonomi. Pavarësisht se numri i nxënësve në shkolla po ulet dhe ka më shumë kapacitete financiare për nxënës, cilësia e shkollave shqiptare ka pësuar rënie të dukshme, sipas rezultateve të testimit global PISA.
Treguesit e konvergjencës me BE tregojnë se Shqipëria, në fushat e arsimit dhe shëndetësisë, po thellon hendekun, duke bërë hapa pas në vend që të arrijë standardet e nevojshme për anëtarësim.
