Hën. Dhj 17th, 2018

Buxheti i shtetit paguan 75% të kostos totale të studentit

TIRANË, 7 dhjetor .- Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, u shpreh sot se, buxheti i shtetit paguan sot 75% të kostos reale, të studentit, në një kohë që taksat nuk janë rritur dhe janë më të ulëtat në rajon.

E ftuar në një emision televiziv, mbi problematikat që kanë ngritur studentët dhe kërkesat e tyre të shprehura në protestat e ditëve të fundit, Nikolla tha se, në 4 vite nuk është rritur asnjë tarifë për studentët.

“Në Universitetin e Tiranës, kosto reale e studimeve është 94 mijë e 420 lekë në vit. Në tarifën minimale që është 25 mijë lekë, 69 mijë e 420 lekë, i paguan buxheti i shtetit, pra mbi 74% të totalit. Për tarifën maksimale që është 40 mijë lekë, i bie që 58% ose 54.420 mijë lekë, i paguan buxheti i shtetit që do të thotë që 75%. Në total buxheti i shtetit mbulon 75% të kostos reale të studentit në vit” – nënvizoi Nikolla

Ndërsa shpjegoi se, nuk kemi dhënë kuota për doktoraturën, “sepse ishin të fryra në shifra absurde jashtë ligjore”, – tha ajo.

“Në momentin që ka hyrë ligji në fuqi për “Arsimin e Lartë”, janë institucionet e arsimit të lartë, që kanë atributin për të ngritur Këshillat e Profesorëve, që aktualisht janë në procesin e miratimit të statutit dhe për të operuar në vijim me kuotat e miratuara”, – theksoi Nikolla.

Ajo shpjegoi se, ka qenë vërtetët e vështirë për të, mbyllja e 22 universiteteve në të gjithë vendin, por siç tha ministrja, “të gjithë pronarët e administratorët që u gjetën në shkelje të ligjit kanë shkuar në prokurori dhe të gjitha gjyqet i kemi fituar”.

Ministrja theksoi se, buxheti 2019 për arsimin është 20 milionë dollarë më shumë se viti i kaluar dhe rritja e fondeve po vazhdon vit pas viti.

“Jemi në procesin e finalizimit të kartës së studentit bashkë me ekspertë të BE-së dhe ta mbyllim brenda vitit 2019 këtë proces. Ndërsa mbledhjet e bordeve të administrimit do të jenë gjithnjë të hapura”, – deklaroi Nikolla.

Ministrja u shpreh e hapur për dialog për të bashkëpunuar për çështjet që kanë ngritur studentët.

“Mbi bazën e argumenteve, fakteve dhe modeleve, ne të rregullojmë dhe të bëjmë atë që është e duhura për sistemin tonë të arsimit” – nënvizoi Nikolla.

e.xh/e.caushi/

Kategori