Buzi Store në gjyq: akuzë për evazion fiskal 3.7 milion euro

Prokuroria dërgon në gjyq ‘Buzi Store’ për fshehjen e 3.7 milion euro taksa

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq subjektin tregtar ‘Buzi Store’ për veprën penale të ‘Fshehjes së të ardhurave’.

Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 8744 të vitit 2024, rezultoi se kompania në fjalë ka shmangur rreth 3.7 milionë euro të ardhura, duke i fshehur ato nga autoritetet tatimore. Ky veprim përbën veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”, e kryer në bashkëpunim me ekonomistin e subjektit.

Gjatë një pune hetimore disa-mujore, duke përdorur metoda speciale dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u zbulua dhe ndalua ky evazion fiskal i shkallës së gjerë nga subjekti tregtar ‘Buzi Sport’.

Gjatë hetimit, janë kryer kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit. Janë sekuestruar prova materiale, duke përfshirë:

  • Njësi kompjuterike
  • Telefona celularë
  • Tableta
  • Vlera monetare në valuta të ndryshme, që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara. Këto fatura përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe nuk ishin të fiskalizuara.

Në disa raste, subjekti lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.

Scroll to Top