Aktori i njohur turk Can Yaman arrestohet për trafik dhe përdorim droge
Aktori i njohur turk Can Yaman është arrestuar në Turqi si pjesë e një hetimi të gjerë për trafik dhe konsum të lëndëve narkotike. Hetimi përfshin dyshimin për përfshirjen e personazheve të njohur të botës së artit, gazetarë dhe VIP-a të Stambollit.
Ky lajm është bërë i ditur nga mediat turke. Can Yaman, i cili ka një popullaritet të madh edhe në Itali falë roleve kryesore në seriale të suksesshme, është arrestuar së bashku me gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe aktorja Selen Gorguzel.
Të shtatë personat e arrestuar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për t’iu nënshtruar analizave, me qëllim verifikimin e përdorimit të lëndëve narkotike, kohën dhe llojin e substancës.
Gjatë natës, policia ka kryer kontrolle dhe bastisje në nëntë klube nate në Stamboll. Si rezultat, janë arrestuar disa shpërndarës droge, si dhe administratorë lokalesh ku dyshohet se shiteshin lëndë narkotike.
Sipas mediave, në javët e fundit, në kuadër të këtij hetimi, mbi 20 personazhe të njohur të botës së spektaklit, VIP-a dhe gazetarë kanë rënë nën vëzhgimin e policisë dhe janë vënë nën hetim.
Can Yaman dhe personat e tjerë të arrestuar, përfshirë drejtues lokalesh, janë shoqëruar në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit për verifikimin e mundshëm të përdorimit të drogës.
Operacioni drejtohet nga Zyra Hetimore për Kontrabandën, Trafikun e Lëndëve Narkotike dhe Krimet Ekonomike pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit.
Burime mediatike turke raportojnë se ndaj Can Yaman nuk ishte lëshuar më parë një urdhër-arresti. Ai dyshohet të jetë kapur në posedim të lëndëve narkotike gjatë kontrolleve në një nga lokalet e bastisura, çka ka çuar në arrestimin e tij në flagrancë.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, e cila ka tronditur opinionin publik në Turqi dhe më gjerë.
