“`html
Tenderat, APP: Zyrtarët përgjegjës duhet të certifikohen pas testimit
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka bërë thirrje institucioneve që personat e ngarkuar me çështjet e prokurimit publik pranë tyre, të testohen dhe të marrin certifikatën për njohuritë bazë, përndryshe nuk do të mund ta ushtrojnë këtë detyrë.
Në një njoftim zyrtar, APP sqaron detajet ligjore lidhur me këtë detyrim dhe hapat që duhet të ndërmerren.
“Sjellim në vëmendje se, bazuar në nenin 75/1 të VKM nr. 285/2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar, si dhe Udhëzimin e përbashkët “Për përcaktimin e procedurave dhe kritereve për organizimin e trajnimeve, testimeve dhe dhënien e certifikatave në fushën e prokurimit publik”, të ndryshuar, përcaktohet detyrimi për personat përgjegjës apo zyrtarët e strukturave përgjegjëse të prokurimit publik që të pajisen me certifikatë njohurish, të paktën në nivelin bazë,” thuhet në njoftim.
Dispozitat tranzitore parashikojnë një periudhë 2-vjeçare, brenda së cilës të gjithë personat e sipërcituar duhet të pajisen me certifikatë. Kjo periudhë përfundon në gusht 2026.
Vetë Agjencia thekson se të gjitha Autoritetet/Entet Kontraktore duhet të sigurojnë pjesëmarrjen e personave përgjegjës për prokurimin, si dhe të personave të punësuar në struktura të dedikuara për prokurimin, nëse ka, në testimin e datës 19 shkurt 2026, që do të organizohet nga ASPA, në kuadër të procesit të profesionalizimit.
Në rastet kur pjesëmarrësit nuk kalojnë me sukses testimin për nivelin bazë, ata mund të kryejnë përsëri trajnimin, në mënyrë që të përsërisin testimin për marrjen e certifikatës.
“Moscertifikimi brenda afatit të përcaktuar mund të sjellë pasoja, përfshirë moslejimin e ushtrimit të së drejtës për të qenë në cilësinë e personit përgjegjës apo pjesë e strukturave të dedikuara në fushën e prokurimit publik,” paralajmëron APP.
Për të marrë pjesë në testim, kërkohet paraprakisht plotësimi i një formulari dhe regjistrimi pranë ASPA-s. Për këtë, duhet të kontaktoni Shkollën Shqiptare të Administratës Publike deri në datën 16 shkurt, në adresën e caktuar.
“`
