Litri i naftës arriti deri në 198 lekë, ministrja Ibrahimaj: Po monitorojmë, bordi mund të ngrihet vetëm nëse rritja e çmimeve vazhdon
Nuk do të ketë ngritje të bordeve të transparencës, por vetëm monitorim të tregut ditor të karburanteve. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së qeverisë, foli edhe për rritjen e çmimit të naftës në vend, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Ajo u shpreh se do të merren masa nëse ka abuzime apo spekulime nga pikat e shitjes me pakicë në vend.
“Diskutuam për situatën ekonomike, për çmimet e karburanteve. Kemi zhvilluar një takim me kompanitë dhe Shoqatën e Hidrokarbureve, për të ngritur alarm për rritjen e çmimeve javët e fundit, të ndikuar gjatë për luftën. Kemi diskutuar për detyrimin që kanë për rezervat. Jemi duke monitoruar, qoftë çmimet e bursës për naftën, benzinën dhe gazin, qoftë çmimin me të cilin karburanti del nga dogana, me çmimin e tabelave që shkon për tregtim,” tha ministrja.
Ajo shtoi se gjatë krizës 2022-2023, kur çmimet u rritën, kishte një bord transparence që monitoronte dhe vendoste për çmimet e shitjes. “Gjykojmë që situata nuk është në nivelin e ngritjes së bordit. Nëse do të ketë rritje të mëtejshme, do të futemi në atë regjim. Ndërsa taksat që mbart 1 litër karburant, përfshirë këtu dhe taksën e qarkullimit, shtetet e tjera i paguajnë tek automjetet, ndërsa ne e kemi vendosur tek nafta, ndaj është një raport i tillë,” u shpreh ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.
Në datën 10 mars u shënua çmimi më i lartë i karburanteve në vend, ku 1 litër naftë këmbehej edhe për 198 lekë. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, çmimet variojnë në një rënie të lehtë, edhe në 193 lekë për litër, teksa edhe në bursat ndërkombëtare çmimet për fuçi nafte ranë më tej.
Të dhënat e doganave për importin e karburanteve, sipas bursës Platts për datën 10 mars, tregojnë se nafta në Shqipëri është importuar për 1057 dollarë për ton, nga 1172 dollarë për ton ku ishte importuar një ditë më parë, duke reflektuar kështu një rënie.
