Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave zvogëlon vlerën reale të të ardhurave
Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave po zvogëlon vlerën reale të të ardhurave, veçanërisht atyre nga pagat. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë, paga reale mesatare bruto ishte 69,630 lekë, ose 16.4% më e ulët se paga mesatare nominale prej 83,300 lekësh në të njëjtën periudhë.
Paga reale, për shkak të efekteve të inflacionit, është 140 euro më e ulët se paga nominale në periudhën qershor-shtator 2025. Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 83 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 blinte me rreth 70 mijë lekë.
Paga nominale mesatare mujore bruto në Shqipëri nga viti 2014 në 2025 është rritur ndjeshëm, por nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me përmirësim të fuqisë reale blerëse te të punësuarit, përkundrazi. Pagat nominale dhe ato reale kishin diferenca të balancuara para pandemisë, por më pas hendeku erdhi duke u zgjeruar për shkak të rritjes së çmimeve, sidomos të qirave dhe ushqimeve.
Paga nominale u rrit ndjeshëm, nga rreth 60 mijë lekë në vitin 2022 në mbi 83 mijë lekë në vitin 2024 dhe fillim 2025. Megjithatë, paga reale rritet shumë më ngadalë dhe në disa tremujorë madje shënon rënie krahasuar me ritmin e pagës nominale. Raporti i pagës reale ndaj pagës nominale bie në mënyrë të vazhdueshme, duke zbritur nga rreth 94% në fillim të vitit 2022 në rreth 83-83% në vitet 2024-2025. Kjo tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e rritjes së pagave po gërryhet nga inflacioni.
Ndonëse punonjësit marrin paga nominalisht shumë më të larta sot krahasuar me një dekadë më parë, fuqia reale blerëse e këtyre pagave është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Pagat më të larta nuk kanë arritur të kompensojnë rritjen e çmimeve, duke bërë që përfitimi real për të punësuarit të jetë më i ulët sesa sugjeron rritja nominale e të ardhurave.
Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet sepse rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendim stimuloi edhe më shumë rritjen e çmimeve, duke ulur në të vërtetë vlerën reale të pagave.
