Çmimet e naftës në Shqipëri: Pse jemi më të prekur se Europa?

**Çmimet e karburanteve dhe lloji i makinave: Pse Shqipëria përballet me pasoja më të rënda se Europa nga shtrenjtimi i naftës?**

Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur rreth 30% gjatë muajit mars, duke arritur në 224 lekë për litër, krahasuar me 170-175 lekë për litër në fund të shkurtit. Kjo rritje erdhi si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme, e cila çoi treguesin referencë Brent nga 65-70 dollarë për fuçi në mbi 100 dollarë për fuçi. E ardhmja mbetet e pasigurt, ndërsa autoritetet e Bashkimit Europian paralajmërojnë se Europa duhet të përgatitet për një goditje afatgjatë energjetike.

Shqipëria pritet të goditet më shumë se Europa për dy arsye kryesore:

Arsyeja e parë: Çmimet e larta në vlerë absolute dhe fuqinë blerëse

Së pari, çmimet e naftës në vlerë absolute janë ndër më të shtrenjta në botë. Sipas të dhënave të 30 marsit, Shqipëria renditet e 11-ta në botë për çmimin më të lartë të naftës, pothuajse e njëjtë me vende si Zvicra, Danimarka dhe Holanda. Në raport me fuqinë blerëse, nafta në Shqipëri është më e shtrenjtë se rajoni dhe 7 herë më e shtrenjtë se Holanda, pavarësisht se çmimi në vlerë është gati i njëjtë. Arsyeja kryesore e kësaj diference me rajonin është ngarkesa fiskale, e cila është dy herë më e lartë në Shqipëri. Mesatarisht, taksat për një litër naftë në Shqipëri janë 1.16 euro (53% e çmimit final), ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë 0.58 euro (36%), në Mal të Zi 0.55 euro (35%) dhe në Kosovë 0.67 euro (38.5%).

Arsyeja e dytë: 70% e automjeteve në vend janë me naftë, një nga shifrat më të larta në Europë

Arsyeja e dytë, dhe po aq e rëndësishme, është numri i lartë i mjeteve në vend që përdorin naftën si lëndë djegëse. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) deri në fund të shkurtit, në vend janë aktive rreth 1.06 milionë mjete. Nga këto, rreth 732 mijë, ose gati 70%, përdorin naftën. Rreth 210 mijë automjete (afro 20%) përdorin vetëm benzinë, e cila ka pësuar një shtrenjtim minimal (3-5%) krahasuar me naftën, duke u tregtuar me 181 lekë për litër nga 173-175 lekë para krizës. Rreth 84 mijë përdorues (8%) kanë automjete me gaz. Edhe gazi i automjeteve është shtrenjtuar dy herë gjatë marsit me gjithsej 20 lekë për litër, duke arritur në 75 lekë nga 55-60 lekë para krizës (një rritje mbi 30%). Megjithëse në rritje, pesha e automjeteve elektrike (rreth 15 mijë) dhe hibride (rreth 8 mijë) është minimale, përkatësisht 1.3% dhe 0.8% e totalit.

Pesha e automjeteve me naftë në qarkullim në Shqipëri është ndër më të lartat në Europë. Ndërsa Europa prej vitesh është orientuar drejt benzinës dhe automjeteve elektrike, Shqipëria vijon të ketë një numër të lartë të automjeteve me naftë. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, rreth 40% e flotës së automjeteve në BE dhe vende të tjera të zhvilluara jashtë BE janë ende me naftë, por pesha e tyre po bie me shpejtësi. Në Europë, rreth 54% e makinave përdorin benzinën dhe rreth 6% janë elektrike ose hibride. Shqipëria renditet e treta në Europë, pas Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës, për peshën e lartë të mjeteve që përdorin naftë. Ndryshe nga vendet e tjera që po e reduktojnë këtë peshë, në Shqipëri ajo mbetet e lartë. Në vitin 2024, 66% e regjistrimeve të reja në vend ishin me naftë, ndërsa mesatarisht në Bashkimin Europian kjo shifër ishte rreth 15%. Vendet pas Shqipërisë, Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina, kishin përkatësisht 47% dhe 44% regjistrime të reja me naftë. Mali i Zi kishte ulur regjistrimet e reja të makinave me naftë në 27%. Tendenca ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2026, ku 60% e regjistrimeve të reja në vend ishin me naftë, sipas DPSHTRR.

Pasojat dhe mungesa e veprimit

Karburanti është një nga komponentët kryesorë të kostove të transportit dhe logjistikës në ekonomi. Në vendet ku pesha e tij mbi të ardhurat dhe përdorimin është e lartë, ndikimi përhapet më tej në çmimet e mallrave, kostot e transportit dhe shpenzimet e përditshme të familjeve. E vetmja masë që qeveria shqiptare ka marrë deri tani ishte ulja e akcizës me 20% kur nafta kaloi 220 lekë/litër, por kjo amortizoi vetëm 9.4 lekë çmimin, i cili megjithatë u rrit në 224 lekë. Qeveria riaktivizoi edhe Bordin e Transparencës, por ai po përballet me importuesit për diferenca minimale prej 5-6 lekë për litër, ndërkohë që pritet të rishikohet metodologjia, por me rritje! Nga ana tjetër, qeveria pritet të përfitojë më shumë nga Tatimi mbi vlerën e shtuar në mars, si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve, e cila paguhet nga konsumatorët në çmimin final.

Scroll to Top