Çmimi i naftës, Braçe: Një shoqatë që vepron si kartel kërcënoi sigurinë kombëtare
Gjatë një seance në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe solli në vëmendje modelin e tregut të hidrokarbureve, i cili po ndikon në rritjen e çmimit të naftës.
“Duhet t’i kthejmë vëmendjen modelit të tregut që kemi në këtë sektor,” u shpreh Braçe. “Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar apo fshehur dhe për të tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera.”
Deputeti theksoi se Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon. “Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin,” deklaroi ai. “Po flas për çmimin neto, pa përfshirë taksat fare, i cili është më i lartë se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.”
Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve. Braçe përshkroi një shoqatë që vepron si kartel dhe deklaroi se kërcënimet për ndërprerjen e furnizimit cenojnë sigurinë kombëtare.
“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel,” tha Braçe. “Tonet kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë, janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare. Kjo duhet të marrë përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg,” përfundoi Braçe.
