Çmimi i naftës arrin 198 lekë/litër, ministrja e Ekonomisë takon kompanitë: Sekuestro dhe gjoba për abuzuesit!
Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur sërish këtë të martë, duke arritur në 198 lekë për litër në pikat kryesore. Ky është një shtrenjtim prej 25 lekësh që prej datës 4 marsit, kur pati një rritje të parë të çmimit.
Ndërkohë që qeveritë e rajonit kanë ndërmarrë masa për të menaxhuar situatën e shtrenjtimit të karburantit, në Shqipëri ende nuk ka një vendimmarrje konkrete. Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar një takim me kompanitë e hidrokarbureve për të diskutuar situatën e krijuar në furnizimin me karburant dhe shtrenjtimin e naftës. Fokusi kryesor i takimit ka qenë kontrolli i kompanive.
Sipas informacioneve, do të shtohen kontrollet nga Ministria e Financave dhe ajo e Energjisë në mënyrë ditore. Në rast të konstatimit të abuzimeve, do të ketë masa ndëshkimore, duke filluar nga sekuestro deri tek gjoba dhjetëfish më të larta se aktualisht.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për të mbajtur situatën nën kontroll, por nuk pritet ngritja e bordit të transparencës apo rishikimi i taksave.
Nga ana tjetër, Konfindustria i bën thirrje qeverisë të ndërtojë një impiant të përpunimit të naftës shqiptare. Sipas tyre, në të kundërt, çmimi i naftës në treg mund të arrijë shumë shpejt 250 lekë për litër, siç ndodhi kur filloi lufta në Ukrainë.
“Konfindustria i kërkon qeverisë të fillojë sa më shpejt projektin e ndërtimit të impiantit të përpunimit të naftës shqiptare, si mënyra më efektive për përballimin e pasojave të paparashikuara ekonomike dhe sigurisë kombëtare nga lufta në Gjirin Persik,” thuhet në reagim.
Konfindustria kërkon që të ndryshohet Buxheti i vitit 2026, me qëllim përfshirjen e shpejtë të ndërtimit të impiantit si investim shtetëror. Gjithashtu, kërkohet përmirësimi thelbësor i organizimit të prodhimit, tregëtimit, ngarkesës fiskale dhe monopolizimit të tregut të hidrokarbureve.
Theksohet se është “krejtësisht e papranueshme” që Shqipëria, si vend me rezerva të mëdha nafte, të jetë në varësi të plotë të importeve dhe lëvizjeve të çmimeve të tregjeve botërore.
Parashikohet që çmimi i naftës në tregun shqiptar, që po afron kufirin e 200 lekë/litër, shpejt mund të rrezikojë të kalojë nivelin e 250 lekë/litër të regjistruar në vitin 2022 gjatë fillimit të luftës në Ukrainë.
Ndërtimi i impiantit shqiptar të përpunimit të naftës vendore konsiderohet si mjeti më efektiv dhe i përhershëm për të lehtësuar pasojat shkatërruese ekonomike dhe financiare nga furnizimet dhe luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të karburanteve.
