“`html
Tabela: Si u llogarit çmimi i naftës; Bordi pritet të rishikojë sërish formulën (në rritje)
Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve vendosi dje një rritje të çmimit të naftës, pas ngritjes së tij në bursat ndërkombëtare. Çmimi i pakicës u rrit me 6 lekë për litër, duke arritur në 124 lekë. Megjithatë, hyrja në fuqi e vendimit për uljen e akcizës me 20% amortizoi me 9.4 lekë çmimin final; përndryshe, ai do të kishte arritur në 133.4 lekë.
Këto çmime do të jenë në fuqi, të paktën deri të mërkurën, kur pritet të mblidhet sërish Bordi. Por, si u llogarit ky çmim?
Bordi i Transparencës, i cili u riaktivizua rreth një javë më parë, e ka llogaritur çmimin duke u referuar të dhënave të dërguara nga Dogana lidhur me mbylljen e bursës Platts të datës 2.04.2026. Në këtë datë, Gazoil (FOB – pa kosto sigurimi e transporti) arriti në 1,572 $ / TON, nga 1370 USD që ishte ditën e mëparshme, duke shënuar një rritje prej gati 200 dollarësh në një ditë.
Ky çmim përfshin një “Premio” prej 30 $/ton, sipas publikimit të Doganave. Vetëm çmimi i blerjes arrin në 113 lekë për litër. Taksat kryesore (Qarkullimi, akciza e rishikuar, karboni dhe TVSH) arrijnë në 95.9 lekë për litër (ndërkohë që do të ishin 105.4 lekë për litër nëse akciza do të kishte mbetur e pandryshuar). Këtyre u shtohen edhe 3 lekë marzh për shumicën dhe 12 lekë për pakicën, ku përfshihen të gjitha kostot e tjera si pagat, taksat lokale, transporti, etj. (shiko tabelën në fund për formulën e çmimit).
Taksat kryesore përbëjnë 43% të çmimit final të pakicës, ndërsa do të përbënin 45% nëse nuk do të ishte ulur akciza, duke treguar një diferencë të papërfillshme.
Debati në mbledhje, formula pritet të rishikohet sërish
Në mbledhjen e fundit pati sërish debate për mënyrën se si Bordi ka llogaritur çmimin. Importuesit u ankuan se përllogaritja bëhet në bazë të çmimit FOB (Free on Board), i cili nuk merr në konsideratë transportin dhe sigurimin, por jo të çmimit CIF, i cili përfshin transportin dhe sigurimin dhe që rrit çmimin e blerjes me 45-50 dollarë për ton, duke e çuar në rreth 1620 dollarë.
Bordi u kërkoi importuesve të paraqesin kontratat, në mënyrë që të vërtetohej se ata e paguajnë naftën me çmimin CIF të ditës kur e nxjerrin në treg dhe jo në ditën që e blejnë. Sipas importuesve, në momentin e importit, produkti kalon fizikisht në pronësi dhe ruajtje të kompanisë shqiptare, ndërsa vlera financiare mbetet ende në ngarkim të furnizorit. Çdo ditë, në varësi të kërkesës së tregut vendas ose kërkesës nga vendet fqinje për rieksport, kompania shqiptare i dërgon kërkesë furnizorit për lirimin e produktit për qëllim shitjeje në treg. Furnizori, bazuar në çmimin Platts të ditës, mbyll çmimin për sasinë përkatëse, lëshon faturën dhe mbi këtë bazë kryhet pagesa.
Bordi ra dakord që, nëse do të shihte kontratat, do të rishikonte formulën në takimin e radhës, të planifikuar për të mërkurën. Nëse do të pranohej çmimi CIF si referencë, atëherë, sipas llogaritjeve të formulës, kjo do të shtonte çmimin final të pakicës edhe me 4-5 lekë për litër.
“`
