BBC: Çmimi i naftës nën 80 dollarë pas sinjaleve për progres në bisedimet SHBA-Iran për Ngushticën e Hormuzit
Çmimi i naftës Brent, standardi ndërkombëtar për tregtinë e naftës së papërpunuar, ka pësuar një rënie prej gati 5%, duke zbritur nën 80 dollarë për fuçi. Paralelisht, nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) ka humbur më shumë se 5%, duke u tregtuar rreth 76 dollarë për fuçi. Të dyja kontratat arritën nivelin më të ulët që nga 13 korriku.
Rënia erdhi pas deklaratave të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të cilët njoftuan se negociatat për rivendosjen e lundrimit tregtar në Ngushticën e Hormuzit kanë shënuar progres. Sipas tyre, një marrëveshje mund të arrihet brenda pak ditësh, duke mundësuar rifillimin e transportit detar në një nga rrugët më të rëndësishme të energjisë në botë.
Rubio theksoi se bisedimet me Iranin, të ndërmjetësuara nga Omani, kanë avancuar, megjithëse ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare. Bessent gjithashtu shprehu mundësinë e finalizimit të shpejtë të një marrëveshjeje, e cila do të rikthejë lirinë e lëvizjes për anijet tregtare.
Nga ana tjetër, Irani ka mohuar zhvillimin e negociatave të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se komunikimi po bëhet vetëm përmes Omanit. Autoritetet iraniane e konsideruan procesin e diskutimeve për krijimin e një mekanizmi të ri që garanton kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit si pozitiv.
Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet kryesore të tregtisë globale të energjisë, duke përfaqësuar rreth një të pestën e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm. Çdo tension në këtë zonë ka një ndikim të menjëhershëm në çmimet ndërkombëtare të energjisë dhe në kostot e karburanteve për konsumatorët.
Analistët vlerësojnë se tregjet mbeten të kujdesshme, duke pasur parasysh dështimet e mëparshme të negociatave mes palëve. Megjithatë, sinjalet e fundit për progres kanë ulur presionin mbi tregun e naftës dhe kanë pasur një ndikim pozitiv edhe në bursat amerikane.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Irani ka “mundësinë e fundit” për të arritur një marrëveshje që do të lejonte rikthimin e transportit tregtar në Ngushticën e Hormuzit. Ai shtoi se kishte pezulluar sulme të planifikuara për t’i dhënë një shans diplomacinë.
