Mër. Dhj 19th, 2018

Dako komenton mbështetjen nga Avdylaj

Kryebashkiaku i Durrësit në Facebook sulmon deputetin e PD, Luciano Boçi, i cili nga selia blu kërkoi çuarjen pas hekurave të tij dhe komenton deklaratën e Avdylajt.

“Asnjëherë s’e kam kuptuar dot si mund të ketë qenë pedagog një njeri kaq qesharak sa Luçiano Boci! Sot ka dalë Luçi dhe përveç avazit të dosjes 399 paska folur i emocionuar nga deklarata e njërit nga Avdylajt në gjyq.. Për të qarë dhe për të qeshur edhe Avdyli edhe Luçi edhe Lul Peshku bashkë! Njëri del ne gjyq dhe mirë që nuk kërkoi edhe krehër para pushkatimit të togës gjermane.. Tjetri del tek partia dhe kërkon llogari nga unë për një deklaratë qesharake që flet vetë më shumë se çdo koment për autorin!”, shprehet Dako.

Ai madje paralajmëron deputetin Boçi se do ta kallëzojë në gjykatë për shpifje dhe e ironizon duke e krahasuar me këngëtarët e kabareve.

“Ky Luçiano më mungonte në listën e gjyqit dhe do futet sot direkt, po ndërkohë po i çoj dhe një disk të Ribla Çorbes se ky është si tip këngëtari jugosllav nga ata të kabareve komuniste!”, thotë Dako.

“Rroftë Vangjush Dako, rroftë Partia Socialiste, se aty i qaj hallet”. Ishte kjo deklarata e fortë e bërë sot në ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, nga Astrit Avdylaj, një nga të arrestuarit në operacionin “Vol-Vo 4” që ka trazuar sërish politikën shqiptare.

Nga opozita thirrjen e pjesëtarit të bandës së Avdylajve nga Shijaku e shohin si konfirmim për lidhjet e kryebashkiakut të Durrësit me krimin e organizuar dhe provën që i mjafton Prokurorisë për ta arrestuar Dakon, por ky i fundit e ka marrë me humor gjithçka ndodhi në gjykatë.

InfoPasqyra/tch

Kategori