VIDEO/ Pas mungesës në Kombëtare, Daku rikthehet në fushë në kampionatin rus dhe bëhet protagonist me… karton të verdhë
Mirlind Daku ishte një nga mungesat më të rëndësishme të Kombëtare shqiptare në ndeshjet “play-off” për Botërorin marsin e kaluar. Sulmuesi kishte qenë jashtë fushave për disa muaj për shkak dëmtimi, gjë që bëri që trajneri Silvinjo të mos e përfshinte në listën e lojtarëve të grumbulluar për dy sfidat.
Megjithatë, duket se Daku e ka lënë pas dëmtimin. Pikërisht në ndeshjen e parë pas periudhës së sfidave ndërkombëtare, ai është kthyer në fushën e lojës. Ai luajti për rreth 25 minuta në takimin ku skuadra e Rubin Kazan luajti në transfertë kundër Soçi.
Daku u aktivizua në minutën e 68-të të takimit. Gjatë kohës që ishte në fushë, ai u përqendrua më shumë në mbrojtjen e avantazhit 1-0 të skuadrës së tij, sesa në kontributin në repartin e avancuar.
Ai u bë protagonist në fund pikërisht për një tentativë për të vonuar lojën, duke shkelmuar një top të dytë në fushë gjatë minutave shtesë. Për këtë veprim, ai u ndëshkua me karton të verdhë.
/Panorama Sport/
