Mër. Kor 18th, 2018

Daliç shijon fitoren ndaj Rusisë, kërkon të mundë edhe Anglinë

Në opinionin publik kroat kishin dyshime para nisjes së këtij Botërori, nëse Zlatko Daliç do të ishte i duhuri për të menaxhuar një grup yjesh dhe lojtarë me karakter shpërthyes. Por, trajneri kroat ndoshta ka meritën më të madhe, që ka kualifikuar “dalmatët” mes 4 më të mirëve të globit.

Suksesi me penallti ndaj Rusisë e ka emocionuar teknikun ballkanas, që tani kërkon edhe një sforcim për të mundur Anglinë në gjysmëfinale.

“Ne gjithmonë e kemi ditur rrugën e vështirë, por duhet të luftojmë deri në fund. Luftë, dhimbje dhe përpjekje, e ky është shpërblimi. Kroacia është në gjysmëfinale. Ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne e dimë sesi luajnë rusët dhe për më tepër ishte një ndeshje kundër 50 mijë tifozëve”, tha trajneri kroat, që më parë ka drejtuar edhe Dinamon e Tiranës në futbollin shqiptar.

“Do të ndieja keqardhje të largohesha nga Rusia pa e parë Moskën”, ka thënë trajneri kroat. Kroacia është bërë skuadra e katërt që ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Botës, e do të përballet me Anglinë më 11 korrik në stadiumin “Luzhniki”.

InfoPasqyra/tch