Kryeministrja daneze paralajmëron: Trump nuk ka hequr dorë nga Groenlanda
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se Donald Trump mbetet “serioz” në lidhje me pretendimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Groenlandës, pavarësisht zhvillimeve të fundit diplomatike dhe zbutjes së retorikës publike.
Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Gjermani, Frederiksen u shpreh se qëndrimi i Trump për zotërimin e rajonit gjysmëautonom danez mbetet i pandryshuar, edhe pse retorika e tij për ishullin Arktik është zbutur në javët e fundit.
Ndërkohë, Danimarka dhe Groenlanda kanë nisur bisedime teknike për një marrëveshje sigurie në Arktik, pas deklaratave të përsëritura të Trump për interesin strategjik amerikan në rajon.
Në muajin janar, Trump paralajmëroi vendosjen e tarifave ndaj Danimarkës dhe disa aleatëve të saj, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, nëse ata do të kundërshtonin kontrollin amerikan mbi Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare. Disa ditë më vonë, ai u tërhoq nga këto deklarata, duke njoftuar se kishte rënë dakord me kryeministrin holandez Mark Rutte, në kuadër të NATO-s, për një kornizë të mundshme marrëveshjeje mbi Arktikun.
Groenlanda konsiderohet ishulli më i madh në botë, me rreth 80% të territorit të mbuluar nga akulli. Ishulli është i pasur me minerale dhe strehon bazën më të madhe dhe më veriore hapësinore amerikane mbi Rrethin Arktik, duke e bërë një pikë me rëndësi strategjike ushtarake.
Që nga marrja e detyrës, Trump ka intensifikuar deklaratat për Groenlandën, duke këmbëngulur se SHBA do ta sigurojë kontrollin mbi ishullin, ndërsa ka dërguar edhe zyrtarë amerikanë për vizita në territor. Megjithatë, Frederiksen theksoi se nuk beson që kërcënimet për aneksim janë zhdukur, duke shtuar se qëndrimi i saj dhe i Danimarkës mbetet i pandryshuar. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të sovranitetit të shteteve dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.
