Dash Sula: Refuzoi Ramën, Berisha ia mbylli derën PD

Ish-deputeti i PD, Dash Sula, tregon bisedën me kryeministrin: Më ftoi për kontribut, por nuk pranova, ndërsa Berisha më ka mbyllur derën

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, u shpreh se në parti nuk ka garë transparente, duke e cilësuar këtë si një nga arsyet e largimit të tij dhe të mos kthimit. Ai shtoi se do të rikthehej nëse garat do të ishin të hapura, duke rrëfyer se ka refuzuar oferta nga parti të tjera.

Sula theksoi se derën e partisë ia ka mbyllur Sali Berisha. “Nuk kërkoj privilegje, nëse gara do të jetë transparente, unë jam gati të kthehem. Kam pasur shumë telefonata dhe oferta edhe nga parti të tjera, por nuk kam vendosur asgjë. Nuk e di nëse ka apo jo garë në PD. Edhe pozicione pune më janë ofruar, por nuk kam pranuar. Për kryetarin e PD-së, e dimë se nuk ka garë,” tha Sula për “News 24”.

I pyetur nëse ka pasur oferta apo telefonata nga kryeministri Edi Rama dhe qeveria për punësim apo drejtimin e institucioneve shtetërore, ish-ligjvënësi demokrat konfirmoi:

“Po, kam pasur komunikim, më ka telefonuar Edi Rama. Dhe për një arsye, më ka thënë: ‘Respektoj dinjitetin tënd dhe integritetin, të ftoj të kontribuosh për shtetin shqiptar aty ku mendon ti se mund të kontribuosh.’ Kjo ka qenë që në gusht, fillim shtatori, ka qenë shumë i sinqertë. Unë e kam falënderuar, i kam thënë kam punët dhe angazhimet e mia personale. Ne kemi pasur debate, jemi anatemuar, por telefonata tregon civilizimin e kryeministrit.”

Ai shpjegoi se nuk ka asgjë të keqe kur kryeministri, pavarësisht partisë, bisedon dhe ndan mendime apo ide për kontribute me kundërshtarët e tij.

“Pse, Berisha kur ishte kryeministër dhe telefononte kundërshtarët e tij apo bashkëpunonte, a nuk kishte vlerë? Nuk gjykohen gjërat kështu sipas kundërshtarëve. Nuk është politika kur merresh me familjen; te ne të marrin me libër shtëpie. Ka vlerë edhe ky lloj komunikimi kur kryeministri kontakton dhe bisedon me kundërshtarët, nuk është vetëm politikë,” vijoi ish-deputeti demokrat.

Sula tha se ai e ka refuzuar gjithmonë gjuhën e fyerjeve dhe urrejtjes, brenda dhe jashtë Parlamentit, duke kritikuar ata që e përdorin, si dhe kryetarin e PD, Sali Berisha, për sulmet ndaj SPAK.

“Unë kurrë s’kam dalë t’i them një njeriu ‘hajdut’, ‘i korruptuar’, ‘kriminel’. Kurrë nuk kam folur për të tilla gjëra apo të akuzojë pa prova. Për shkak të profesionit, nuk kam sharë njeri pa prova dhe fakte. Unë edhe SPAK apo drejtësinë nuk i kam sulmuar, nuk i kam thënë Altin Troplini siç kanë bërë të tjerët. Unë e kam mbështetur dhe e mbështes drejtësinë. Por për rastin e pasaportës së Berishës, për shembull, unë e kam kritikuar SPAK se ishte e padrejtë. Por Sali Berisha nuk duhet ta sulmojë në atë mënyrë drejtësinë, nuk duhet ta shajë. Por unë Ramën s’e kam dëgjuar ndonjëherë të thotë ‘kriminelat e SPAK’, deri më sot se më vonë nuk e di,” u shpreh politikani opozitar.

Sula theksoi se interesi për të nuk ka ardhur vetëm nga një krah politik, por nga pothuajse të gjitha forcat, me përjashtim të Agron Shehajt.

“Të gjitha forcat e tjera politike më kanë kërkuar, që do të thotë se kam një farë vlere për ata njerëz. Kur isha unë me PD, PD ishte fituese në Peqin dhe në ato zona. Deri ditën e fundit që i kam shërbyer PD, nuk kam marrë asnjë favor,” deklaroi ish-deputeti për raportet politike aktuale.

Scroll to Top