Dashamir Shehi: Sali Berisha pengon PD, Shqipëria ka nevojë për të rinj

Dashamir Shehi: Berisha është “non-grata”, pse duhet të luftojmë për të? Të rinjtë në PD dhe jashtë saj, t’i dalin zot!

Ish-kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, u shpreh se zgjedhja e Sali Berishës në krye të PD do ta çonte vendin në izolim. Ai theksoi se kreu i PD nuk takon asnjë nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të statusit “non-grata” nga SHBA.

Shehi shtoi se Shqipëria, si një vend i vogël, ka nevojë për aleatë të mëdhenj. Ai parashtroi pyetjen:

“Ti e izolon Shqipërinë, si do na ndihmosh kundër një ‘armiku’ që ia jep Sazanin dhëndrit të Trump, që ka blerë lobingun ndërkombëtar? Ty [Berishën] s’të pranojnë andej, për çfarë bëjmë luftë ne. Që ia jep Durrësin ca matrapazve arabë, sipas darkave që ka ngrënë Rama nëpër botë. Pse duhet ta bëjmë?”

Sipas tij, politika ka etikë dhe moral. Nëse dikë e quan hajdut apo të korruptuar, duhet të jesh vetë i pastër. Shehi nxori në pah nevojën që të rinjtë në opozitën shqiptare, pavarësisht nëse janë pjesë e PD-së apo jo dhe kanë treguar peshë elektorale, të marrin përgjegjësi dhe të mos lodhen për një karrige politike, por t’i përballojnë hallet e Shqipërisë.

Duke komentuar situatën politike në vend dhe rolin e Sali Berishës dhe Edi Ramës, Shehi vlerësoi kontributin historik të Berishës, duke e krahasuar me një mjek ose intelektual që ngriti dorë kundër regjimit komunist. “Berisha ka bërë pjesën e tij. Ai vinte nga pellgu i komunizmit dhe ka këpërcyer ylberin në këtë pjesë. Deri këtu është në rregull,” tha Shehi në News24.

Megjithatë, ai theksoi se roli i Berishës pas vitit 1994 ka krijuar pengesa për zhvillimin e opozitës dhe demokracisë në Shqipëri. “Berisha nuk ka punë fare me të djathtën, po pengon opozitën shqiptare, demokracinë dhe lirinë,” shtoi ai.

Shehi kritikoi edhe Edi Ramën, duke e përshkruar si një “abuzues të madh me demokracinë dhe gjërat publike, me paratë e shqiptarëve”. Sipas tij, drama e politikës shqiptare qëndron te fakti se qytetarët nuk janë në gjendje të përballojnë këtë situatë, pasi alternativa përballë Ramës mbetet Berisha.

“Drama e Shqipërisë është përballja me Ramën, ndërsa alternativa është Berisha,” përfundoi Shehi.

Scroll to Top