Dasma Luksoze në Turqi: Ari, Diamantet dhe Para

Luks i shfrenuar: Nusja e mbuluar me ar dhe diamante, dasma virale që ‘theu’ rrjetin

Një dasmë e zhvilluar së fundmi në qytetin Sanliurfa, në Anadollin Juglindor të Turqisë, ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në rrjetet sociale, duke u bërë virale për shkak të luksit të rrallë dhe pamjeve mbresëlënëse gjatë ceremonisë.

Gjatë kësaj dasme madhështore, nusja u stolis me bizhuteri ari me peshë disa kilogramë, aq sa në një moment nuk arriti më ta përballonte peshën dhe u detyrua të ulej. Ndërkohë, të ftuarit garuan mes tyre duke hedhur shuma të mëdha parash drejt çiftit, ndërsa ceremonia zgjati deri në orët e vona të natës.

Bëhet fjalë për martesën e avokatit 26-vjeçar Kahraman Zulfikar Izol, nip i ish-deputetit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Sanliurfa, Zulfikar Izol, me avokaten 25-vjeçare Nazdar Barzani, mbesë e përfaqësuesit të Irakut në Turqi, Mesut Barzani. Dasma mblodhi mijëra të ftuar dhe figura të njohura e me ndikim nga rajoni.

Të pranishmit u rreshtuan rreth nuses dhe dhëndrit, duke hedhur tufa me para, të cilat më pas mblidheshin nga zyrtarë të caktuar dhe vendoseshin në kuti të posaçme. Gara për të dhuruar më shumë para dhe bizhuteri ishte një nga momentet më të spikatura të ceremonisë.

Nusja u stolis me monedha ari, rrip ari, gjerdanë, unazë diamanti dhe një kurorë ari, duke krijuar pamje që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Ceremonia u drejtua nga kryetari i bashkisë së Siverekit, Ali Murat Bucak.

Pas përfundimit të dasmës, të ftuarit nga Iraku u rreshtuan për të dorëzuar bizhuteritë e arta që kishin sjellë, të vendosura në kuti të veçanta, duke e kthyer këtë ngjarje në një simbol të traditës, pasurisë dhe spektaklit që karakterizon dasmat luksoze në rajon.

Scroll to Top