Hën. Nën 19th, 2018

Deklarimi i punonjësve, Tatimet: Të paktën një ditë përpara fillimit të punës

TIRANË, 10 korrik//- Tatimpaguesit, persona juridikë dhe fizikë, janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në administratën tatimore të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), të cilët fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtaz pranë tij.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deklarimi me të dhënat e kërkuara për secilin punonjës bëhet të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës së të punësuarve të rinj apo rishtazi.

Personat juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në organet tatimore të larguarit nga puna, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.

Nëse ato nuk deklarojnë largimin brenda këtij afati, detyrimet e tyre për kontributet e sigurimeve llogariten për të gjitha periudhat tatimore deri në datën e deklarimit në organet tatimore të punonjësve të larguar nga puna.

Në të dy rastet deklarimi bëhet vetëm në formë elektronike dhe ai përmban të dhënat e deklaratës “Deklarata e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna” sipas rubrikave të formularit që gjendet në e-Filing.

/a.gjonaj//m.m/

Lajme nga Vendi – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori