Deklarimi i Të Ardhurave: Risitë e DIVA 2025 & Përfitime

Gjithçka që duhet të dini për deklarimin e të ardhurave

Rozana Çelmeta, drejtore e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, jep detaje mbi risitë e aplikacionit e-Tax për deklarimin e të ardhurave.

Që prej datës 22 janar 2026, administrata tatimore ka hapur sistemin e-Tax, duke mundësuar plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA) për vitin 2025. Rozana Çelmeta, drejtoreshë e procesit të biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në një intervistë për “Monitor”, sqaron risitë e këtij viti për plotësimin e DIVA-s.

Sipas saj, këtë vit përfshihen edhe individët që nuk e kanë detyrim plotësimin e deklaratës, pasi të ardhurat e tyre janë nën 1.2 milionë lekë në vit, por që kanë shpenzime arsimore të dokumentuara me fatura të fiskalizuara për fëmijë nën moshën 18 vjeç. Këta individë përfitojnë kompensim për arsimin përmes rillogaritjes së tatimit, pas zbritjes së shpenzimeve deri në vlerën maksimale 100 mijë lekë.

Përfitim nga rillogaritja e tatimit do të ketë edhe në rastet kur, pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët në ngarkim në vlerën 48 mijë lekë në vit nga të ardhurat vjetore, individët rezultojnë me tatim të mbipaguar.

Të drejtën për rimbursim këtë vit do ta kenë edhe individë të tjerë që nuk kanë deklaruar zbritje shpenzimesh për fëmijë në ngarkim apo për arsim, por që pas rillogaritjes rezultojnë me tatim të mbipaguar, për shkak të ndryshimeve në përllogaritjen e tatimit.

Zonja Çelmeta shpjegon hap pas hapi procedurat që duhet të ndjekin individët për aplikimin për kompensim ose rimbursim, në rastet kur pas plotësimit të DIVA 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar.

Numri i deklaratave dhe kompensimet

Deri më 12 shkurt 2026, janë plotësuar dhe dorëzuar nga individët rreth 19 mijë Deklarata Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP). Aktualisht nuk mund të raportohet numri i saktë i deklaruesve që do të përfitojnë kompensimin për arsim.

Edhe nëse individi plotëson kushtin e të ardhurave vjetore nën 1.2 milionë lekë dhe është personi me të ardhurat më të larta në familje, zbritja e shpenzimeve për arsim deri në masën 100 mijë lekë nga baza tatimore është një e dhënë që vetëdeklarohet nga individi dhe më pas verifikohet nga administrata tatimore. Verifikimi është i domosdoshëm pasi kërkohet dorëzimi i dokumentacionit justifikues, konkretisht faturat e fiskalizuara për shpenzimet arsimore të kryera gjatë vitit 2025 për fëmijët.

Pra ende nuk mund të thuhet se sa është numri i individëve që e përfitojnë, pasi është vetëdeklarim dhe më pas do të kalojnë proces verifikimi. Më pas, pasi individi të ketë kryer aplikimin, do të vijohet me procedurën e kompensimit.

Parashikimi për deklaruesit e rinj

Parashikohet që në total të jenë rreth 200 mijë individë që do të deklarojnë Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale. Shtimi i numrit të tyre nuk është i lidhur vetëm me risinë e aplikimit të kompensimit për shpenzimet e arsimit, por edhe me parimin e të ardhurave vjetore.

Për herë të parë këtë vit do të aplikohet edhe parimi i të ardhurave vjetore. Përveç zbritjeve dhe përfitimeve që individët do të kenë për numrin e fëmijëve në ngarkim apo për shpenzimet arsimore të kryera, ata do të kenë mundësinë të aplikojnë për rimbursimin e tatimit të mbipaguar gjatë vitit për të ardhurat nga punësimi.

Përveç individëve që do të aplikojnë për zbritjen e shpenzimeve arsimore për fëmijët apo zbritjen nga baza tatimore për fëmijët në ngarkim, do të jenë edhe individët që kanë mbipaguar tatim, pasi ka ndryshuar parimi i rillogaritjes së tatimit për të ardhurat.

Rillogaritja e tatimit kryhet mbi bazë vjetore të të ardhurave dhe jo mbi bazë mujore, siç ka qenë deri vitin e kaluar. Rillogaritja bëhet në Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale. Gjatë vitit, të ardhurat nga punësimi deklarohen mbi bazë mujore në listëpagesë, ndërsa përllogaritja vjetore në DIVA bëhet pasi plotësohet vlera e të ardhurave totale nga punësimi.

Nga tatimi i rillogaritur zbritet tatimi i paguar gjatë vitit (që është shuma e tatimeve mujore) dhe, duke qenë se përllogaritja bëhet mbi bazën e të ardhurave vjetore, mund të rezultojë që në varësi të shpërndarjes së të ardhurave dhe tatimit të paguar gjatë vitit, individi mund të dalë me rezultat zero (që të jetë i njëjtë tatimi i paguar gjatë vitit me tatimin vjetor të rillogaritur), me mbipagesë (për të cilën ka të drejtë të bëjë kërkesë për rimbursim), ose detyrim për pagesë, pra që i detyrohet t’i kthejë shumën tatimeve.

Ilustrime dhe përllogaritje

Nuk mund të ilustrohet me një shembull konkret vlera e përfitimit të kompensimit, pasi ajo varet nga shpërndarja e të ardhurave gjatë vitit, nga ekzistenca e të ardhurave të tjera për të cilat është paguar ose jo tatim dhe që është detyrim të deklarohen në deklaratë.

Përllogaritja kryhet automatikisht në sistem, ku rregullat janë të qarta. Nëse pas plotësimit të deklaratës, janë zbritur shpenzimet për fëmijët në ngarkim dhe për arsimin, dhe në rubrikën 57 “TATIMI I MBIPAGUAR” shfaqet vlerë pozitive, individi ka të drejtë të aplikojë për rimbursim apo kompensim për këtë shumë. Nëse rubrika 58 “TATIMI I DETYRUAR PËR T’U PAGUAR” del me vlerë, do të thotë se këtë shumë individi i detyrohet administratës tatimore dhe duhet ta paguajë.

Për aplikim për përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve kanë të drejtë vetëm individët me të ardhura vjetore bruto nën 1.2 milionë lekë. Në rastet kur familja përbëhet nga dy anëtarë me të ardhura, të dy duhet të kenë të ardhura nën këtë fashë, pasi e drejta për përfitimin e kompensimit për arsimin përcaktohet mbi bazën e të ardhurave individuale pas zbritjes së shpenzimeve.

Në seksionin A të deklaratës, në pikën 18 të saj, individi duhet të plotësojë manualisht numrin e fëmijëve nën 18 vjeç. Sistemi përllogarit automatikisht zbritjen prej 48 mijë lekësh nga baza tatimore për çdo fëmijë. Vlera maksimale deri në 100 mijë lekë për shpenzimet e arsimit duhet të vendoset manualisht nga deklaruesi, bazuar në vlerën e faturave fiskale të shpenzimeve arsimore të ruajtura për vitin 2025.

Ligji nuk përjashton fëmijët që ndjekin arsimin publik. Si për sistemin publik ashtu edhe për atë privat arsimor, nëse shërbimi i marrë është me faturë të fiskalizuar, ky dokument konsiderohet i vlefshëm për dokumentimin e shpenzimeve arsimore deri në masën 100 mijë lekë. Të vlefshme janë edhe faturat nga institucionet parashkollore (kopshtet).

Procedura e aplikimit për kompensim/rimbursim

Të drejtën për dorëzimin e kërkesës për kompensim apo rimbursim e kanë të gjithë individët që pasi kanë plotësuar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale 2025 rezultojnë me tatim të mbipaguar.

Aplikimi për kompensim apo rimbursim të tatimit të mbipaguar do të bëhet në llogarinë e tyre “e-Filing”. Procesi përfshin plotësimin e detajeve bankare dhe krijimin e një çështjeje të re për të paraqitur kërkesën.

Duhet të bashkëngjitni dokumentacionin përkatës: Dokument me të dhënat e llogarisë personale bankare (IBAN); Certifikatën familjare; Dokumentacionin justifikues që vërteton shpenzimet e kryera për arsimimin e fëmijëve (faturat e fiskalizuara).

Kërkesa për rimbursim apo kompensim bëhet vetëm nga individët që kanë paguar tatim. Një individ që nuk ka paguar tatim gjatë vitit 2025 nuk mund të përfitojë të drejtën për kompensim.

Afati për dorëzimin e kërkesës

Nuk ka një afat të posaçëm ligjor për paraqitjen e kërkesës për rimbursim. E drejta e individëve për kompensim apo rimbursim nuk humbet për 5 vite.

Nëse nuk kërkohet këtë vit, shuma mbetet si tepricë për individët deri në 5 vite. Por nëse do të kërkohet të përfitohet në llogari bankare, do të duhet të plotësohet kërkesa dhe të dorëzohet dokumentacioni justifikues.

Afati i dorëzimit të DIVA është deri më 31 Mars. Pas përfundimit të afatit, administrata tatimore do të nisë verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar. Kompensimi do të kryhet në grupe.

Afati për trajtimin e kërkesës nga administrata tatimore është 60 ditë pas dorëzimit nga individi. Parashikohet që i gjithë procesi do të realizohet brenda afateve, por kërkohet mirëkuptimi i individëve nëse do të ketë zgjatje të afatit për kërkesat.

Të dypunësuarit dhe të ardhurat e patatuara

Për të dypunësuarit, ligji përcakton se kanë detyrimin të deklarojnë DIVA, pavarësisht nivelit të të ardhurave.

Nëse ka mbipaguar tatim, do të rimbursohet. Nëse nga mbledhja e dy apo më shumë pagave tejkalohet kufiri dhe hyn në një fashë tjetër të ardhurash (p.sh. me tatim 23%), do të duhet të paguajë.

Për të ardhurat e patatuara mbi 50 mijë lekë në vit, individët duhet të vendosin në DIVA manualisht masën e së ardhurës të realizuar që është e patatuar. Kjo e ardhur e patatur e realizuar mund të jetë nga qiraja, apo nga platformat si Booking, Airbnb, YouTube, etj.

Kontributet në skemën e pensioneve private

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon që kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat zbritet nga të ardhurat personale për efekt tatimi.

Megjithatë, në Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave nuk mundësohet ende deklarimi dhe njohja e këtyre kontributeve si shpenzime të zbritshme, për rastet kur individi i derdh këto kontribute vetë dhe jo nëpërmjet punëdhënësit.

Ligji parashikon të drejtën që vlera e deklaruar për pensionet private në vlerën e pagës minimale mujore, ku sipas pagës mujore 2025 është në vlerën e 480 mijë lekëve në vit, e cila nuk tatohet.

Për të punësuarit kjo gjë realizohet në listëpagesë. Në deklaratë ka rubrika specifike për zbritjet për kontributin në skemën e pensioneve private, ku të dhënat plotësohen manualisht nga individi, por nuk mund të jetë më shumë sesa 480 mijë lekë.

Scroll to Top