UNESCO ka lëshuar një paralajmërim, duke theksuar se të paktën 56 vende historike dhe muzeume në Iran kanë pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e bombardimeve.
Dëme serioze u raportuan deri të shtunën, më 14 mars, ditën e 15-të të konfliktit, sipas Ministrisë iraniane të Trashëgënisë Kulturore dhe Turizmit. Franceinfo.fr raporton se këto dëme prekin dhjetëra monumente të rëndësishme në rajone të ndryshme të vendit. Provinca e Teheranit ka shënuar numrin më të lartë të dëmtuar, me 19 monumente që kanë pësuar dëme në shkallë të ndryshme.
Në kryeqytet, bombardimet kanë dëmtuar Pallatin Golestan, një vend i Trashëgënisë Botërore të UNESCO-s. Ky kompleks historik, i krahasuar shpesh me Versajën, është ndër monumentet më të vjetra të Teheranit dhe shërbente si rezidencë mbretërore për dinastinë Qajar (1789–1925).
Dëme të konsiderueshme janë regjistruar gjithashtu në qytetin e Isfahanit. Sheshi Naqsh-e Jahan, një nga ansamblet më të rëndësishëm arkitekturorë të shekullit të 17-të, i rrethuar nga xhami, një pallat dhe një treg historik, është ndër monumentet e prekura.
Në qytetin bregdetar të Bushehrit, në Gjirin Persik, disa shtëpi tradicionale u dëmtuan në lagjen historike të portit të Sirafit, ku shumë ndërtesa kanë një ose dy shekuj jetë.
UNESCO ka shprehur të premten e kaluar shqetësim të fortë për efektet e konfliktit ushtarak në trashëgëninë kulturore të rajonit. Organizata ndërkombëtare ka theksuar dëmet e regjistruara tashmë në Iran, Izrael dhe Liban, duke paralajmëruar se qindra monumente të tjera janë në rrezik për shkak të sulmeve ajrore, raketave dhe dronëve në Lindjen e Mesme.
Konventa e Hagës e vitit 1954 dhe Rezoluta 2347 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilës i janë bashkuar edhe SHBA-të, Izraeli dhe Irani, i konsiderojnë sulmet ndaj vendeve të trashëgënisë kulturore si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Konventa synon të mbrojë pasuritë kulturore, duke përfshirë artin, arkitekturën dhe vendet historike, dhe ofron mekanizma për adresimin e shkeljeve.
Bizan Rouhami, një studiues i lartë në arkeologjinë e rrezikuar në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Universitetin e Oksfordit, shpjegon se Konventa e Hagës përfshin procedura për emërimin e një Komisioneri të Përgjithshëm për Trashëgëninë Kulturore, i cili mund të merret me çështjet që rrjedhin nga zbatimi i saj dhe të marrë pjesë në hetime për shkelje të dyshuara.
Rezoluta 2347 e Këshillit të Sigurimit, e miratuar në vitin 2017, dënon shkatërrimin e paligjshëm të trashëgënisë kulturore, përfshirë vendet fetare.
