Dëme të mëdha në bujqësi nga ngricat dhe përmbytjet

Nga ngricat te përmbytjet, bujqësia përballet me dëme të rënda në disa qarqe

Ngricat në ditët e para të vitit të ri dhe përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të prodhimit dhe fidanëve të sapombjellë në zonat me bujqësi intensive.

Emergjencat civile raportuan se mijëra hektarë tokë në Lezhë, Shkodër, Berat, Lushnjë dhe Durrës janë përmbytur, duke shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë.

Mariglen Ziu, një fermer nga zona e Beratit, pohoi se një pjesë e madhe e serrave u dëmtuan rëndë nga ngricat, ndërsa ato që i shpëtuan ngricave janë tani nën ujë.

Ervin Resuli, një ekspert i çështjeve të bujqësisë, theksoi se i gjithë vendi po përballet me humbje të konsiderueshme. Dëmet kanë prekur edhe prodhimin e ushqimit për kafshët.

Këto ditë të vështira nuk përfaqësojnë vetëm humbje për fermerët, por edhe për të gjithë ekonominë.

Një pjesë e serrave ishin në kulmin e prodhimit të sezonit të dytë, ndërsa të tjerat sapo kishin mbjellë fidanët për sezonin e hershëm të pranverës 2026. Dëmtimi i prodhimit do të sjellë kufizime në furnizimin e tregjeve.

Përvoja ka treguar se në raste të tilla, çmimet priren të rriten. Përmbytjet në bujqësi, nga humbje individuale, kthehen në faktorë çekuilibrues të ekonomisë kombëtare, duke shkaktuar rënie të prodhimit dhe rritje të inflacionit.

Dëmet e krijuara do të ndihen për një kohë të gjatë, pasi në shumë sera, bashkë me prodhimin, janë dëmtuar edhe strukturat mbështetëse dhe materialet.

Gjithashtu, prania e llucit në sera do të vështirësojë rifillimin e punës dhe mbjelljeve gjatë periudhës në vijim.

Fermerët shqiptarë nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përballuar fatkeqësitë natyrore, të cilat janë shtuar vitet e fundit. Ndërkohë, mbështetja e ofruar nga qeveria shqiptare është shumë e ulët në krahasim me rajonin dhe Bashkimin Europian.

Për më tepër, fermat shqiptare nuk aplikojnë skemat e sigurimit privat, ndërsa as mekanizmi i kompensimit nga fatkeqësitë natyrore nuk funksionon.

Emergjencat civile pohuan se rreth 3000 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në Lezhë. Në Berat, rreth 95 hektarë tokë bujqësore ishte nën ujë, ndërsa në Fier rreth 200 hektarë tokë bujqësore ishte përmbytur. Në zonën e Shkodrës, uji ka mbuluar edhe rrugën nacionale dhe tokat me histori përmbytjeje.

Scroll to Top