“`html
Akuzohej për krime lufte, serbi dënohet me 13 vite burg edhe pas rigjykimit
Edhe në procesin e rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 13 vjet burgim Dushko Arsiç, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999. Trupi gjykues ka njoftuar se atij do t’i llogaritet koha që ka kaluar në paraburgim, raporton Betimi për Drejtësi.
Në procesin e parë gjyqësor, Arsiç, më 2 shkurt 2024, ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar po me 13 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e ktheu më pas rastin në rigjykim.
Lista Serbe kundërshton aktgjykimin
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, ka deklaruar se “e dënon ashpër” vendimin e Gjykatës Themelore.
“Ky aktgjykim i trupit gjykues, i përbërë ekskluzivisht nga gjyqtarë të nacionalitetit shqiptar, përbën edhe një dëshmi tjetër të praktikës thellësisht të padrejtë dhe etnikisht të motivuar të sistemit të drejtësisë në institucionet në Prishtinë, që në mënyrë sistematike kanë problem me trajtimin objektiv dhe të drejtë të serbëve në Kosovë dhe Metohi, e veçanërisht ndaj serbëve si Arsiçi, i cili nuk pranoi ta shesë pronën e tij,” thuhet në reagimin e kësaj partie.
Avokati i Arsiçit, Nebojsha Vllaiç, më herët kishte pretenduar se klienti i tij ishte akuzuar dhe dënuar për krime lufte për shkak se kishte tentuar ta rikthejë pronën e tij të uzurpuar në territorin e Prishtinës dhe të kthehej në Kosovë. Lista Serbe po ashtu pretendoi gjatë procesit gjyqësor se nuk kishte pasur prova “që do të dëshmonin fajësinë e tij”.
Arsiç ishte arrestuar më 8 dhjetor 2021 nën dyshime për krime të kryera në periudhën janar-qershor 1999 në rajonin e Prishtinës. Aktakuza ndaj tij u ngrit në nëntor të vitit 2022.
Aty pretendohet se ai kishte marrë pjesë në vrasjen e B.Sh., më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës dhe kishte keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht A.K., atëbotë 15 vjeç.
Arsiç, së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, në periudhën janar-qershor 1999, sipas aktakuzës, kishte marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina. Gjithashtu, pretendohet se Arsiç, së bashku me një grup tjetër, kishin plaçkitur dhe më pas dëmtuar pronat e shqiptarëve, duke ua vënë zjarrin.
Arsiç është akuzuar për keqtrajtim të civilëve shqiptarë, plagosje dhe vrasje. Ai ishte arrestuar në veri të Kosovës dhjetorin e vitit 2022. Në atë kohë, Zyra e Prokurorisë Speciale nuk kishte dhënë më shumë detaje, duke u thirrur në “ndjeshmërinë e rastit”.
Ai është me origjinë nga Matiqani, që gjendet në periferi të Prishtinës. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kishte jetuar në Kralevë të Serbisë, sipas informacioneve të mëparshme për Radion Evropa e Lirë nga ekipi i tij mbrojtës.
Kohët e fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 deri në 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
“`
