GJKKO dënon dy koka të grupit kriminal përgjegjës për trafik droge drejt Zvicrës
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 108, të vitit 2024, kundër të pandehurve Gëzim Bakalli (i njohur edhe me aliasin Shkëmbim Cërmanji) dhe Erjon Loci. Ata janë identifikuar si dy drejtuesit kryesorë të një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge drejt Zvicrës.
Gëzim Bakalli, duke përdorur aliasin Shkëmbim Cërmanji, mbante rolin e drejtuesit dhe financuesit të grupit. Ai akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në 15 raste të veçanta, si dhe për falsifikim të dokumenteve të ndryshme kosovare.
Erjon Loci, një nga bashkëpunëtorët kryesorë, ishte përgjegjës për transportimin dhe shpërndarjen e drogës në Zvicër. Ai akuzohet për prodhim dhe shitje të narkotikëve në 6 episode.
Gjykimi është zhvilluar sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 11, datë 10.02.2026, ka vendosur si më poshtë:
Për Gëzim Bakalli (alias Shkëmbim Cërmanji):
- Fajtor për veprat penale: Trafikimi i narkotikëve, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë (nenet 283/a/2 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal). Dënim fillestar: 18 vjet burgim.
- Fajtor për veprën penale: Grup i strukturuar kriminal, në formën e drejtimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal). Dënim fillestar: 4 vjet burgim.
- Fajtor për veprën penale: Falsifikimi i dokumenteve (neni 186/1 i Kodit Penal). Dënim fillestar: 1 vit burgim.
- Fajtor për veprën penale: Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave (neni 189/1 i Kodit Penal). Dënim fillestar: 1 vit burgim.
- Fajtor për veprën penale: Falsifikimi i akteve të gjendjes civile (neni 191/1 i Kodit Penal). Dënim fillestar: 1 vit burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, u caktua një dënim i vetëm prej 19 vjet burgim. Ky dënim, për shkak të gjykimit të shkurtuar (neni 406/1 i K.Pr.Penale), u ul me 1/3, duke u konvertuar në 12 vjet e 8 muaj burgim. Dënimi do të vuhet në një institucion ekzekutimi të veprave penale me siguri të lartë.
Për Erjon Loci:
- Fajtor për veprat penale: Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe më shumë se një herë (nenet 283/2 – 28/4 dhe 334/1 të Kodit Penal). Dënim fillestar: 12 vjet burgim.
- Fajtor për veprën penale: Grup i strukturuar kriminal, në formën e pjesëmarrjes (neni 333/a/2 i Kodit Penal). Dënim fillestar: 2 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, u caktua një dënim i vetëm prej 12 vjet burgim. Pas uljes me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u konvertua në 8 vjet burgim. Dënimi do të vuhet në burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit.
PROVAT MATERIALE
Gjykata vendosi si më poshtë:
- Disa dokumente, pajisje elektronike dhe sende personale të sekuestruara do të qëndrojnë në fashikullin e hetimit të procedimit të ndarë nr. 108/1, viti 2025.
- Dokumentet e falsifikuara (pasaporta, kartë identiteti dhe leje drejtimi kosovare) do të asgjësohen, në përputhje me ligjin.
SHPENZIMET DHE ANKIMI
Shpenzimet procedurale të fazës së hetimit, në shumën 43,630 lekë, si dhe shpenzimet gjyqësore, ngarkohen në mënyrë solidare ndaj të pandehurve.
Kundër këtij vendimi, mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
