Sulmi në Banjskë: Dy të akuzuar dënohen me burgim të përjetshëm, njëri me 30 vjet
Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq janë dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë. Dushan Maksimoviq, i akuzuar për të njëjtin sulm, është dënuar me 30 vjet burgim.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit për sulmin e ndodhur në Banjskë, Zveçan, më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, i pranishëm në sallën e gjyqit ishte vetëm Dushan Maksimoviq.
Gjykatësi Ngadhnjim Arrni deklaroi se të tre të akuzuarit janë shpallur fajtorë. Duke lexuar vendimin, ai sqaroi se qëllimi i grupit të armatosur në Banjskë ishte destabilizimi i strukturave themelore të Kosovës. “Përmes një plani të mirëorganizuar, ata kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë”, tha gjykatësi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh se ky vendim do të duhej të ishte “dënim maksimal për të gjithë të përfshirët”. Megjithatë, ai theksoi se vendimi i Gjykatës Themelore dërgon një mesazh të qartë se “kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policisë së saj, do të përballet me drejtësinë”. Sveçla shtoi se “Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”.
Kosova e ka cilësuar sulmin si akt terrorist dhe ka akuzuar Serbinë për përfshirje, pretendime të cilat Beogradi i ka mohuar.
Tre personat e dënuar janë pjesë e një grupi prej 45 individësh, kundër të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit. Mes tyre është edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”. Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale për Spasojeviqin, Tolliq dhe Maksimoviq, të cilët janë në paraburgim që nga shtatori 2023. Kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë për 42 të tjerët u refuzua.
Për çfarë akuzohen të dyshuarit?
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, duke përdorur dhunë dhe armatim të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës për ta bashkuar me Serbinë. Gjatë këtij sulmi, u vra polici Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti, dhe u lënduan policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi. Gjithashtu, u rrezikua jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.
Për këto veprime, ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Radoiçiq, i akuzuar si udhëheqës i grupit, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.
Gjithashtu, Prokuroria dyshon se Radoiçiq, me ndihmën e Radulle Steviq dhe bizneseve të tij, ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë për të fshehur origjinën. Për këtë, ai akuzohet për shpëlarje parash.
Çfarë deklaruan në gjyq Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq?
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, i cili nisi më 17 prill 2025, tre të pandehurit, Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq, mohuan akuzat e ngarkuara.
Spasojeviq deklaroi se nuk kishte sulmuar askënd me eksplozivë apo armatim të rëndë, dhe se nuk kishte vrarë apo lënduar njeri. Ai gjithashtu mohoi të ketë pasur qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin me Serbinë.
Tolliq pranoi se kishte qenë në Banjskë më 24 shtator, por tha se motivi i pjesëmarrjes së tij nuk ishte ai i përshkruar në aktakuzë. Ai deklaroi se nuk kishte qëlluar askënd dhe se nuk kishte pasur qasje në mjete eksplozive. Ai shtoi se nuk mund t’i parashikonte zhvillimet dhe pasojat e ngjarjes, dhe se kishte qenë i plagosur rëndë, duke marrë trajtim mjekësor në Prishtinë.
Maksimoviq, punëtor i hotelit “Rajska Banja”, deklaroi se ditën e 24 shtatorit ishin mbledhur me shokë në një vikend-shtëpizë për të pjekur mish në skarë. Pavarësisht se në telefonin e tij u gjetën incizime video të sulmit dhe monitorimit të Policisë, ai tha se nuk i kujtoheshin.
Në fjalët përmbyllëse, Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm.
Çfarë ndodhi në Banjskë?
Sipas aktakuzës dhe dëshmive të kolegëve të oficerit të vrarë, Bunjaku:
- Rreth orës 2 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, disa policë të Kosovës, teksa ktheheshin nga Izvori, Zveçan, për në bazën e tyre policore në Kushtovë, Mitrovicë e Jugut, vërejtën se dy kamionë me ngarkesa kishin bllokuar urën që të çon në fshatin Banjskë.
- Dhoma komanduese i udhëzoi ata, përmes radiolidhjes, të vëzhgonin terrenin dhe të dërgonin fotografi të vendngjarjes, ndërkohë që dy njësi policore ishin nisur për ndihmë.
- Njëzet minuta më vonë, mbërritën njësitë policore prej 6 policëve, përfshirë Bunjakun. Pas një konsulte të shkurtër, policët u shpërndanë në zonën pranë kamionëve për vëzhgim. Teksa Bunjaku filloi të ecte drejt kamionëve, ndodhi një shpërthim i fuqishëm, pa qenë e qartë nga ku erdhi. Në atë moment, polici Alban Rashiti kuptoi se ishte plagosur në kraharor.
- Më pas, vazhduan të shtënat me armë zjarri nga disa pozicione drejt tyre. Rashiti vërejti se rreshteri Bunjaku kishte mbetur i shtrirë në tokë, i gjakosur në qafë dhe fytyrë.
- Policit tjetër, Çlirim Shaqiri, u mundua ta tërhiqte Bunjakun nga vendi i ngjarjes pas plagosjes. Ndërkohë që të shtënat nuk ndaleshin, ata afruan një veturë policore pranë trupit të Bunjakut për ta futur brenda dhe për ta dërguar për ndihmë mjekësore në Mitrovicë të Jugut.
- Policëve iu dërguan përforcime shtesë, duke përfshirë automjete të blinduara, dhe konfrontimet me grupin sulmues zgjatën disa orë. Gjatë përplasjes së armatosur, humbën jetën edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër u larguan pasi u strehuan për disa orë në Manastirin e Banjskës.
Çfarë u bë me Radoiçiqin?
Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, duke mohuar përfshirjen e autoriteteve shtetërore të Serbisë. Kosova insiston që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë për Banjskën, në mënyrë që të përballen me drejtësinë. Kosova e konsideron këtë çështje kyçe për përparimin e dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, proces ky i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Radoiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në tetor 2023 dhe u ngarkua me disa vepra penale, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Megjithatë, një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi, duke ia konfiskuar dokumentet e identifikimit.
Organizata Ndërkombëtare e Policisë – INTERPOL lëshoi fletarrestim ndaj tij në dhjetor 2023. Serbia paralajmëroi ngritjen e aktakuzës për këtë rast, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje. Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi që Radoiçiq, të cilin e quajti kriminel, të mbahej përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Më shumë se dy vjet pas sulmit, ai mbetet i lirë, me adresë të regjistruar në Beograd. Ndryshe nga Radoiçiq, i cili nuk u shfaq më publikisht pasi pranoi organizimin e sulmit, persona të tjerë të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës u panë në publik verën e vitit 2025, duke “ruajtur” vendin e punës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë protestave masive antiqeveritare.
Ndërsa të akuzuarit e tjerë nga Kosova për rastin Banjska vazhdojnë të jenë në arrati, më 17 prill 2026 u njoftua se autoritetet kosovare arrestuan një person mbi dyshimet se ishte i përfshirë në sulmin vdekjeprurës.
