Dënohen sulmet ndaj gjyqtarit Asim Vokshi

Shoqata e Gjyqtarëve dënon sulmet ndaj gjyqtarit Asim Vokshi

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënoi, përmes një deklarate të publikuar të martën, sulmet personale ndaj gjyqtarit Asim Vokshi, i cili u zgjodh si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, publikimet në media kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejuar dhe janë kthyer në denigrime, të cilat cenojnë drejtpërdrejt “dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit”.

“Liria e medias nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje, përbuzje apo cenim të dinjitetit njerëzor dhe institucional të magjistratit, sidomos në procese kandidimi kaq të rëndësishme dhe me ndikim të madh publik,” thuhet në deklaratën e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve.

Zgjedhja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, si anëtar i ri i Gjykatës Kushtetuese, po shoqërohet me një seri akuzash publike dhe të ashpra në media. Në qendër të këtij debati është një raportim i televizionit kombëtar Top Channel, datë 9 nëntor 2025, ku pretendohet se kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Sokol Sadushi, i ka “fshehur” Gjykatës së Lartë një informacion komprometues. Ky informacion sugjeron se gjyqtari Vokshi ka qenë “informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës”.

Sipas Top Channel, ky informacion, i cili dyshohet se ka ardhur nga AKSIK (Agjencia Kombëtare e Inteligjencës dhe Sigurisë Kombëtare), përbënte një kriter pengues për përzgjedhjen e Vokshit si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, televizioni pretendon se KED, nën drejtimin e kreut të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk ka kryer detyrën e verifikimit të raportit të AKSIK-së.

KED reagoi të hënën, duke e cilësuar si të pavërtetë raportimin e Top Channel. Sipas KED, ky publikim bazohet në të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, dhe arrin në kufijtë e shkeljeve penale.

Nga ana tjetër, magjistrati Asim Vokshi deklaroi për BIRN se ai e konsideron veten përballë një fushate “të orkestruar shpifjesh, që ka vetëm një qëllim – të njollosë procesin dhe ta delegjitimojë atë”. Ai theksoi se figura e tij ishte verifikuar dy herë të tjera në pesë vitet e fundit, gjatë procesit të vetingut dhe kur garoi për në Gjykatën e Lartë.

Scroll to Top