Denoncim rëndë: 11 qen të ngrirë gjenden në Tiranë

Organizata për mbrojtjen e kafshëve denoncon një rast të rëndë në zemër të Tiranës: gjenden 11 trupa qensh të ngrirë.

Organizata e kafshëve, Animal Rescue Albania, ka denoncuar një rast të rëndë ku janë gjetur 11 trupa qensh të pajetë në kazanët e mbeturinave në qendër të Tiranës. Sipas organizatës, trupat e kafshëve ishin të ngrirë, çka sugjeron se ato janë mbajtur për një kohë të gjatë në ambiente frigoriferike përpara se të hidheshin.

Përveç kësaj, mes trupave janë gjetur edhe materiale veterinare dhe pjesë trupore të lidhura me ndërhyrje sterilizimi, duke ngritur dyshime serioze mbi përfshirjen e mundshme të strukturave të caktuara.

Animal Rescue Albania ka depozituar një kallëzim penal dhe ka dorëzuar në dispozicion të autoriteteve provat e gjetura në vendngjarje. Organizata kërkon një hetim të plotë, transparent dhe urgjent për këtë rast dhe apelon për përgjegjësi penale për të gjithë ata që fshihen pas këtij akti.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, organizata shprehet se ky akt përbën një dështim të rëndë njerëzor dhe institucional. Ata theksojnë se vrasja masive dhe trajtimi i kafshëve si mbeturina spitalore nuk duhet të tolerohet në një qytet që synon të jetë europian.

Organizata gjithashtu u bën thirrje vullnetarëve, punonjësve apo qytetarëve që kanë informacion rreth këtij rasti të mos heshtin, pasi heshtja lejon që barbarizmi të vazhdojë.

Scroll to Top