Zbulohet në Vjenë një depo armësh e lidhur me Hamasin, dyshohet për sulme terroriste në Evropë
Autoritetet austriake kanë zbuluar një depo armësh në Vjenë, e cila dyshohet se është e lidhur me organizatën Hamas. Sipas qeverisë, arsenali kishte si qëllim kryesor kryerjen e “sulmeve të mundshme terroriste në Evropë”.
Një shtetas britanik 39-vjeçar, i cili dyshohet se kishte lidhje me këtë depo armësh, është arrestuar në Londër të hënën, raporton agjencia Independent.
Deklarata zyrtare thekson se, bazuar në informacionet aktuale të hetimit, objektivat e këtyre sulmeve kanë qenë me shumë gjasa institucione izraelite ose hebraike në Evropë.
Ky arsenal dhe personi i dyshuar janë pjesë e një hetimi të koordinuar ndërkombëtarisht, të udhëhequr nga Drejtoria e Austrisë për Sigurinë e Brendshme dhe Inteligjencën (DSN). Hetimi po zhvillohet për një organizatë terroriste globale me lidhje me Hamasin.
