Deputetët marrin paga mbi 3 mijë euro, shtesa dhe për pasaporta

Pagat mbi 3 mijë euro: Deputetët nuk heqin dorë as nga lekët e kuponit për pasaportë diplomatike

Me fillimin e Legjislaturës së re në shtator, deputetët kanë filluar të përfitojnë shtesat dhe financimet shtetërore që u jep mandati i tyre. Dokumentet e siguruara nga Report TV tregojnë se këto përfitime tejkalojnë pagën bazë apo pagesat për pjesëmarrjen në komisione.

Përveç kuotave për karburant dhe telefoni, përfaqësuesit e popullit kanë marrë nga paratë publike edhe kompensim për qiratë e tyre në kryeqytet, si dhe për kuponët që janë përdorur për nxjerrjen e pasaportave diplomatike.

Sipas listës, 10 deputetë të rinj kanë aplikuar për këtë dokument, ndërsa kuponin prej 75 eurosh e kanë blerë me fondet e Kuvendit, jo me paratë e tyre, edhe pse pagat e tyre variojnë nga 3000-3500 euro.

Rimbursim për pasaporta diplomatike (Tetor):

  • Ani Dyrmishi
  • Arian Ndoja
  • Eno Bozdo
  • Erjon Mile
  • Kiduina Zaka
  • Klevis Balliu
  • Marjana Koçeku
  • Skënder Pashaj
  • Zeqine Çaushaj
  • Zija Ismailaj

Kompensimi për pasaporta diplomatike nuk është i vetmi shpenzim shtesë i kërkuar nga deputetët. Të dhënat nga Kuvendi i Shqipërisë tregojnë se 13 prej tyre paguajnë qiranë me para publike. Mes emrave të listuar bien në sy kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, dhe deputetja socialiste Zeqine Çaushi.

Pagesa për qira (Tetor):

  • Antoneta Dhima (PS) – 350 Euro
  • Fadil Nasufi (PS) – 350 Euro
  • Hatixhe Konomi (PS) – 350 Euro
  • Bledi Çomo (PS) – 116 Euro
  • Erion Mile (PS) – 350 Euro
  • Erjona Ismaili (PS) – 290 Euro
  • Genti Lakollari (PS) – 300 Euro
  • Ledina Alolli (PD) – 210 Euro
  • Ramion Kurti (PS) – 338 Euro
  • Zeqine Çaushi (PS) – 361 Euro
  • Niko Peleshi (PS) – 350 Euro
  • Gerta Bardeli (PD) – 350 Euro

Paga bazë e deputetëve është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në 2250 euro neto. Krahas pagës, ata marrin shtesa për pjesëmarrje në komisione, 170 euro në muaj për shpenzime telefoni, 300-400 euro për karburant, si dhe kompensime për dietat dhe udhëtimet brenda dhe jashtë vendit.

Të dhënat e Report TV tregojnë se vetëm gjatë muajit tetor, pa përfshirë pagat, shpenzimet për karburant të deputetëve arritën në 44 mijë euro, për telefoninë në 19 mijë euro, dietat në 139 mijë euro, qiratë në 4 mijë euro, ndërsa pasaportat diplomatike kushtuan 750 euro.

Scroll to Top