Mar. Nën 20th, 2018

Deputeti i PD i përgjigjet Elia Zaharias: Pallatin e familjes tënde e ke të restauruar, pse Teatrin e do të shembur?

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj i është përgjigjur  reagimit të princeshë Elia Zaharias lidhur me qëndrimin e saj për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Përmes një postimi në ‘Facebook”, deputeti demokrat tregon se ka mbetur i pafjalë nga qëndrimi i Elias për teatrin, emri i së cilës është renditur edhe ndër firmëtarët që janë pro shembjes së TK.

Statusi i plotë:

E dashur Elia,
Kam shumë respekt për familjen mbretërore por në këtë rast qëndrimi juaj mbi teatrin më la pa fjalë, sepse është i gabuar.
Së bashku restauruam kohë më parë një objekt të vjetër e me vlera historike në pronësi të familjes mbretërore, dhe e kthyem në një qendër inovacioni të teknologjisë së informacionit.
Përse Teatri, gjithashtu mbartës vlerash duhet zhdukur në vend që të restaurohet?
Familja juaj më shume se asnjë tjetër e di që shuarja dhe mohimi i së kaluarës
shkakton plagë të pashërueshme për shoqërinë. Duhet të jemi nga ana e drejtë e historisë.

Më herët, përmes një postimi në Facebook, Princeshë Elia Zaharia i është përgjigjur kritikëve se pse vendoi të firmosë peticionin për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re. Elia Zaharia thotë se askush nuk mund të mohojë degradimin ekstrem të godinës së teatrit dhe bërjen pothuajse të pamundur të ushtrimit të veprimtarisë artistike në kushtet aktuale që ndodhet godina.

(InfoPasqyra/BW)

Kategori