Henrik Hoxhaj jep dëshmi tronditëse në GJKKO për konfliktin me Ismet Boriçin
Në kuadër të dosjes penale të quajtur “Plumbi i Artë”, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Dëshmia e tij ka trajtuar konfliktin e hershëm me Ismet Boriçin, duke ofruar detaje rreth plagosjes së tij, motiveve të hakmarrjes dhe ngjarjes së armatosur të ndodhur në vitin 2018.
Sipas Hoxhajt, konfliktet kanë filluar që në vitin 1999, si pasojë e problemeve që një mik i tij i fëmijërisë, Vrion Kallanxhiu, kishte me vëllezërit Boriçi. Ai gjithashtu foli për një konflikt të mëhershëm në vitin 2004, ku mbeti i plagosur, duke pretenduar se autori ishte pikërisht Ismet Boriçi.
Hoxhaj shpjegoi se konflikti filloi në vitet ’99-2000, kur një mik i tij i fëmijërisë pati probleme me vëllezërit Boriçi. Ai tregoi se në vitin 2004, teksa po kthehej në shtëpi, u plagos me tre plumba. Sipas dëshmisë së tij, Ismet Boriçi kishte plagosur vëllain e shokut të tij të fëmijërisë, Viron Kallanxhiu, i cili aktualisht ndodhet në burg. Hoxhaj rrëfeu se një situatë e panevojshme u krijua me argumentin “pse më shikon”. Ai tha se Boriçi nxori armën, ai e kapi te tyta, por Boriçi qëlloi. Hoxhaj u largua me vrap dhe aty e mori dikush. Ai shtoi se duke qenë se jetonte me shokun e tij, mendja i shkoi se ngjarja kishte lidhje me shokun e tij, pasi ai vetë nuk kishte probleme me askënd. Ai ishte në dijeni të historisë së Vironit me Boriçin, ku Vironi kishte ndërmarrë një veprim ndaj tij, duke e goditur Ismetin në vitin ’99 në Itali. Hoxhaj pranoi se synimi i tij ishte hakmarrja, duke qenë se donte “ta vriste”.
Ai pranoi para trupit gjykues se synimi i tij ishte hakmarrja, duke sqaruar se Viron Kallanxhiu nuk kishte dijeni dhe nuk kishte marrë pjesë në planin e tij.
Duke iu referuar ngjarjes së vitit 2018, Hoxhaj tregoi se kishte siguruar një automjet të vjedhur tip Renault dhe një pistoletë Glock. Bashkëpunëtor i tij ishte një person i quajtur Skerdi, i cili, sipas tij, ishte në dijeni të situatës. Ata kishin vëzhguar disa herë pronën e vëllezërve Boriçi dhe kishin planifikuar sulmin.
“Skerdi qëlloi nga vendi i pasagjerit, por arma iu bllokua. Mjeti ynë kishte xhama të errët dhe targa të huaja, ndaj ata na identifikuan. Plumbat u ndalën nga xhami dhe ata u gërvishtën lehtë”, dëshmoi Hoxhaj.
Në përgjigje të pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, Hoxhaj tregoi se ngjarja kishte ndodhur pranë një lokali në zonën e gjimnazit të ri, ku viktimat ndodheshin të ulur në tavolinë. Ai theksoi se armët mbaheshin gjithmonë në automjet dhe se ishin të përgatitur për të goditur sapo t’i shihnin.
