“Çfarë të shohësh, do heshtësh”: Dëshmon mjeku që vizitoi Nuredin Dumanin
Gjykata e Posaçme ka dëgjuar dëshmitarët e radhës të kërkuar nga SPAK në procesin ndaj të akuzuarve të dosjes “Plumbi i artë”. Dëshmitari Julian Malaj, mjeku që ka vizituar Nuredin Dumanin ndërsa ky i fundit ishte i plagosur, pak para arrestimit, tregon për vizitën e kryer në vitin 2022.
“Në vitin 2022 kam qenë kirurg. Ka qenë ora 09:30. Më mori dikush dhe më kërkoi të kryeja një vizitë në shtëpi. Më mori një person që çalonte dhe më shoqëroi nëpër rrugica që nuk po i kuptoja. U futëm në një garazh e më pas në një apartament. Më thanë që çfarë të shohësh atje nuk do të tregosh. Kur mbërritëm në apartament, pashë një person me fashë në kurriz. Ishte kaçurrels. Unë mendova se ai kishte nevojë për operacion. Ai kishte një plagë nga arma e zjarrit, me një plumb që kishte hyrë por nuk kishte dalë. Apartamenti ishte në katin e pestë me ashensor, por nuk mbaj mend vendndodhjen e saktë. Aty ishte edhe një vajzë, si dhe Bërdalla, një person që drejtonte një laborator. Qëndrimi im aty nuk zgjati as një minutë. Kur u nisa për në spital, pashë një automjet që më ndiqte. Edhe në shtëpi shkova me frikë. Nuk kam folur me personin e plagosur.”
