Gjyqi për krerët e UÇK: Wesley Clark do të dëshmojë në dy seanca në Hagë
Më 18 dhe 21 nëntor, ish-komandanti suprem i Forcave të NATO-s, Wesley Clark, do të dëshmojë në gjyqin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjykata Speciale në Hagë ka miratuar një kërkesë të Mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi lidhur me dëshminë e Clark, i cili shërbeu si komandant suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Europë. Clark pritet të dëshmojë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Lidhur me dëshminë e Clark, Specialja njoftoi se do të caktojë një ditë shtesë, siç ishte kërkuar. Sipas njoftimit, pasi u informua se dëshmia mund të fillonte vetëm pasditen e 18 nëntorit dhe pas shqyrtimit të kohës së vlerësuar nga palët, Trupi Gjykues miratoi kërkesën e Mbrojtjes për të rezervuar një ditë shtesë, më 21 nëntor, për të përmbyllur dëshminë.
Trupi Gjykues konsideroi se kjo ditë shtesë ishte e nevojshme për të përmbyllur shpejt dhe në mënyrë efektive paraqitjen e argumenteve nga Mbrojtja. Megjithatë, palëve u është kërkuar të përpiqen ta përmbyllin dëshminë më herët, nëse kjo është e mundur.
Pas ish-ndihmës sekretarit të shtetit, James Rubin, dëshmia e Wesley Clark pritet të jetë ndër më të rëndësishmet në procesin e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerëve.
