Dështojnë bisedimet e paqes mes talibanëve dhe Pakistanit, armëpushimi mbetet në fuqi
Bisedimet e paqes në Stamboll mes Pakistanit dhe sundimtarëve islamistë talibanë të Afganistanit kanë përfunduar pa marrëveshje, por armëpushimi mes dy shteteve fqinje do të vazhdojë të jetë në fuqi.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, fajësoi Pakistanin për kolapsimin e bisedimeve, duke thënë se delegacioni i Islamabadit kishte “sjellje të papërgjegjshme dhe mungesë bashkëpunimi”. Përmes një postimi në platformën X, Mujahid e akuzoi Pakistanin se “nuk shfaqi gatishmëri për të marrë përgjegjësi për sigurinë e Afganistanit, apo edhe të vetën”. Ai shtoi se armëpushimi “deri më tani nuk është shkelur nga ne dhe do të vazhdojë të respektohet”.
Disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari janë mbajtur në Stamboll që nga muaji i kaluar. Rundi i fundit u mbajt më 6-7 nëntor dhe u udhëhoq nga Abdul Haq Wasiq, shefi i inteligjencës talibane, dhe gjenerallejtënant Asim Malik, kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Pakistanit.
Më herët, zyrtarë pakistanezë, përfshirë ministrin e mbrojtjes Khawaja Asif, thanë se bisedimet në Stamboll kishin dështuar dhe se nuk ka plane për negociata të tjera. Asif paralajmëroi se nëse territori i Afganistanit përdoret për të sulmuar Pakistanin, armëpushimi do të përfundojë. Ai paraprakisht kishte paralajmëruar se dështimi për të arritur një marrëveshje do të çonte në një “luftë të hapur”.
Rundi i fundit i bisedimeve në Stamboll u përball me probleme që në fillim. Për shembull, kur nisën bisedimet, pati këmbim zjarri më 6 nëntor në Spin Boldak mes ushtarëve talibanë dhe forcave pakistaneze. Edhe pse të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për inicimin e zjarrit, sipas raportimeve lokale, civilët e pësuan rëndë gjatë këtij incidenti. Të paktën pesë civilë, përfshirë katër gra, u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Ndërkaq, gjatë përleshjeve të tetorit mes Pakistanit dhe talibanëve u vranë të paktën 50 civilë afganë dhe 450 të tjerë u plagosën. Luftimet u ndalën pas ndërmjetësimit të Turqisë dhe Katarit dhe palët arritën një armëpushim.
Pakistani po ashtu ka konfirmuar se gjatë përleshjeve janë vrarë të paktën 23 ushtarë të tij dhe janë plagosur 29 të tjerë. Dhuna erdhi pas shpërthimeve në Kabul më 9 nëntor, për të cilat autoritetet talibane fajësuan Pakistanin.
Dikur aleatë të ngushtë, që ndajnë një kufi prej 2.600 kilometrash, të dyja palët përkeqësuan raportet pas pretendimeve të Islamabadit se Afganistani strehon grupe militante, përfshirë Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP). Pakistani pretendon se autoritetet talibane po lejojnë TTP-në që të përdorë territorin afgan për t’u trajnuar dhe si qendër logjistike për sulme brenda Pakistanit. Qeveria talibane mohon këto pretendime.
