Merz: Të dhënat tregojnë rritje të dhunës, me emigrantët si faktor kontribues
Kancelari Friedrich Merz foli për një “shpërthim” të dhunës, si në jetën reale ashtu edhe në atë dixhitale, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e këtij fenomeni lidhet me emigrantët. Këto deklarata provokuan reagime në Bundestag.
Gjatë një debati për dhunën dixhitale kundër grave, pas publikimit të një ankese nga një aktore e njohur kundër ish-bashkëshortit të saj për akuzat e “përdhunimit dixhital”, kancelari vuri në dukje se grupet e emigrantëve janë pjesërisht përgjegjëse për rritjen e rasteve të dhunës, si analoge ashtu edhe dixhitale, në vend.
“Nuk dua ta minimizoj këtë çështje,” theksoi kancelari Merz. Në përgjigje të kritikave, kryesisht nga partia e Të Gjelbërve, se nuk po i kushtonte vëmendje temës së debatit, ai shtoi: “Nuk janë vetëm gratë në këtë vend që po diskutojnë dhe flasin për këtë çështje, por edhe shumë burra – dhe unë jam një prej tyre.”
Duke iu referuar iniciativave legjislative të qeverisë së tij, ai përmendi planet për hartimin e një ligji për mbikëqyrjen elektronike me anë të një “byzylyku elektronik”, si dhe ruajtjen e adresave IP. Këto masa synojnë të lehtësojnë ndjekjen penale të krimeve të kryera në hapësirën dixhitale.
