Dhunë në derbin çek: tifozët pushtojnë fushën, dëmtohet portieri

VIDEO/ Dhunë e paprecedent në derbin për titull, tifozët pushtojnë fushën 2 minuta para fundit ndërkohë që ekipi i tyre po fitonte dhe shkatërrojnë gjithçka.

Një ngjarje e paprecedent ka ndodhur sot në futbollin çek, në derbin e Pragës, ku u përballën Slavia me Spartën. sfida u braktis 2 minuta para përfundimit, për shkak të hyrjes në fushë të tifozëve vendas, të cilët shkatërruan gjithçka.

Ndeshja po fitohej 3-2 nga Slavia, ekip që praktikisht me këtë fitore siguronte titullin kampion. Megjithatë, në mënyrë të pabesueshme, 2 minuta para vërshëllimës përfundimtare, tifozët vendas vendosën të pushtonin fushën duke përdorur fishekzjarrë. Ata hodhën fishekzjarrë drejt tifozëve kundërshtarë, por edhe lojtarëve të Spartës në fushë.

Për më tepër, ata shkatërruan një nga portat, duke krijuar një situatë të rrezikshme, të cilën policia arriti ta vërë nën kontroll me vështirësi.

Për rifillimin e sfidës nuk bëhej fjalë, pasi tifozët kishin sulmuar portierin e Spartës, duke e dëmtuar atë. Për këtë arsye, ekipi i Spartës vendosi të largohej menjëherë nga stadiumi.

Tani priten masa të rrepta ndëshkimore ndaj Slavias, e cila mund të penalizohet ndjeshëm dhe të rrezikojë edhe titullin kampion në këtë sezon.

Scroll to Top