Dhuna në familje në Durrës: Burri tenton të vrasë bashkëshorten, e godet me sende të forta në kokë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një 76-vjeçar ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij, duke e plagosur rëndë me një send të fortë. Policia ka arrestuar menjëherë autorin e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pasi morën njoftim për një rast dhune në familje në lagjen nr. 17, shkuan menjëherë në adresën e dhënë. Falë ndërhyrjes së tyre, u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës, i cili mund të kishte pasoja fatale.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 76 vjeç, i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes.
Nga hetimet paraprake rezultoi se 76-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta brenda banesës, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. D., 70 vjeçe. Ai e ka goditur atë me një send të fortë, konkretisht një shkop druri, në kokë.
Si pasojë e goditjeve, 70-vjeçarja ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës Tiranë, për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
