Memaliaj/ Burri rreh gruan dhe e kanos me armë, arrestohet nga policia
Një ngjarje e mundshme kriminale brenda familjes është parandaluar në Tepelenë. Një 53-vjeçar, i cili ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kërcënonte atë me jetë, është arrestuar në flagrancë.
Gjatë kontrollit të banesës, policia ka sekuestruar një armë zjarri, e cila është marrë si provë materiale.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, pranë Komisariatit të Policisë Tepelenë, kanë reaguar pas njoftimit për rastin e dhunës dhe kërcënimeve, duke organizuar menjëherë ndërhyrjen për parandalimin e ngjarjes.
Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme ligjore.
NJOFTIMI I POLICISË
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë, është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale në familje, në fshatin Lulëzim, Memaliaj.
Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e kërcënonte me jetë.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, si provë materiale.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj, pranë Komisariatit të Policisë Tepelenë, pasi morën njoftim se një shtetas kishte dhunuar dhe kërcënuar me jetë bashkëshorten e tij, kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e ngjarjes.
Si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, është bërë neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 53 vjeç, banues në fshatin Lulëzim, Memaliaj.
Gjatë kontrollit në banesën e 53-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, e cila u mor në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
