Kunati i Ergys Agasit sulmon fizikisht drejtorin e IKMT-së, Fatmir Meta
Një incident i rëndë ka ndodhur në ambientet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ku drejtori i Ekzekutimit të Vendimeve, Fatmir Meta, është dhunuar fizikisht.
Sipas burimeve, Meta është sulmuar nga Klesti Çela, drejtori i Mjedisit dhe kunati i Ergys Agasit, së bashku me tre persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një konfrontimi verbal të ndodhur një ditë më parë mes palëve.
Burime brenda institucionit bëjnë me dije se konflikti lidhet me një grup inspektimi për çështjen e grumbullimit dhe transportimit të tokës (dherave). Sipas tyre, Fatmir Meta kishte bllokuar mjetet e subjekteve që transportonin dhera në zonën rurale pranë Tiranës.
Pas debatit fillestar, një ditë më pas, situata ka eskaluar në dhunë fizike, duke u përdorur edhe objekte të forta (qyta pistoletash), brenda ambienteve të institucionit. Raportohet se Meta është goditur nga Çela dhe personat që e shoqëronin, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende për t’u sqaruar.
Pas incidentit të rëndë, Klesti Çela mësohet se është paraqitur në zyrën e Afrim Qendros, ku ka kërkuar dorëheqjen e drejtorit Meta.
Deri në këto momente nuk ka një reagim zyrtar nga IKMT apo nga palët e përfshira, ndërsa pritet që rasti të hetohet nga organet kompetente.
